Telegrafi

Gjilani nis fazën e parë të dezinsektimit, apelohen qytetarët që t’i mbyllin dritaret dhe bletarët shtëpitë e bletëve

Foto: Ilustrim

Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Gjilan, të enjten fillon me fazën e parë të dezinsektimit hapësinor, e cila përfshin qytetin dhe fshatrat përreth, me qëllim të shfarosjes së mushkonjave dhe insekteve tjera të bezdisshme për qytetarët.

Kështu thuhet në një njoftim për media nga zyra për informim e Komunës së Gjilanit.

Drejtori i Shëndetësisë, Selami Xhemaili, ka njoftuar se dezinsektimi do të zgjasë pesë ditë, derisa qytetarët rekomandohen që t’i mbajnë dritaret e mbyllura, që mos të futen mushkonjat (insektet) brenda.

Komuna, po ashtu, njofton bletarët për kujdes të shtuar që t’i mbajnë të mbyllura bletët prej orës 20:00 deri 05:00 të mëngjesit gjatë këtyre ditëve për shkaqe sigurie. /Telegrafi/