Në Komunën e Gjilanit janë vaksinuar 1377 qytetarë. Ndërsa në këtë komunë në 10 ditët e fundit është përmirësuar gjendja pandemike.
Kështu ka bërë të ditur kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri përmes një statusi në Facebook.
Ai ka thënë se tanimë në këtë komunë nuk është asnjë vaksinë, ndërsa ka kërkuar nga qytetarët respektim të masave anti-Covid.
Ky është statusi i tij i plotë:
Gjilani prej sot mbetet pa asnjë vaksinë, pasi numri i personave të vaksinuar kundër #COVID19 është 1377. Janë vaksinuar mantelbardhët, dhe grupmoshat 85, 80 dhe 75 plus. Lajmi i mirë është se asnjë i vaksinuar nuk është përballur me probleme.
Ndërkohë, në dhjetëditëshin e fundit situata me COVID-19 në Gjilan është dukshëm me qetë pasi mbi 700 raste aktive para pak javësh, numri bie në 243, derisa nga afro 75 vizita shtëpiake nga ekipet e shëndetësisë primare, numri është ul në 30. Apeloj që edhe më tutje t’iu përmbaheni rekomandimeve, maska, distanca sociale dhe larja e duarve.
Pasqyra e përgjithshme në Gjilan që prej fillimit të pandemisë është si vijon: nga 20274 mostra, 6274 kanë rezultuar pozitivë, 5892 janë shëruar, 139 qytetarë e kanë humbur betejën me virusin, 243 raste janë aktive, të hospitalizuar me COVID janë 43 dhe 123 mostra në pritje për rezultat.