Gjilani i ka arkëtuar pikët e para të sezonit 2017/2018 të Superligës së Kosovës në futboll, duke triumfuar me rezultat 2-1 kundër Besës së Pejës.
Në ndeshjen e zhvilluar në Stadiumin e Qytetit në Gjilan, zhbllokimi i rezultatit erdhi në minutën e 31-të, kur Isa Eminhaziri realizoi me kokë nga afërsia.
Me epërsi minimale të vendasve, skuadrat shkuan në pushim.
Edhe në gjysmën e dytë ishin nikoqirët ata që luajtën më mirë dhe shumë shpejt e shënuan edhe golin e dytë.
Në minutën e 53-të, Gëzim Rusi e gjeti rrjetën falë asistimit nga Diar Mustafa.
Besa e ngushtoi rezultatin pas një gabimi të Ergon Hysenit, por kjo nuk mjaftoi që pejanët të dilnin të pamposhtur nga ky takim.
Me këtë triumf, skuadra e Gjilanit u gëzohet pikëve të para në këtë edicion, derisa Besa do të kërkojë rezultate pozitive në ndeshjet në vazhdim. /Telegrafi/