Kuvendi Komunal i Gjilanit e ka shpallur “Qytetar Nderi” ish-ambasadorin William Walker. Këtë çmim, në një seancë solemne të Kuvendit, ambasadorit Walker ia ka dorëzuar sot kryetari i kësaj komune, Lutfi Haziri.
Ish-ambasadori Walker, pasi e ka pranuar titullin “Qytetar Nderi” tha se përvoja e tij e parë në Kosovë ka qenë kryesisht takime me burra, ndërsa tani më shumë bie në dukje roli i femrës në politikë dhe vendimmarrje.
Duke rikujtuar masakrën e Reçakut, ish-ambasadori Walker tha se kur erdhën në Kosovë, në vitin 1999, misioni i tyre ishte neutral, por shumë shpejt e pa se këtu nuk bëhej fjalë për neutralitet.
“Ngjarjet në terren treguan se këtu, një qeveri me forca policore, ushtarake, paramilitare e me sisteme të sigurisë, po luftonte kundër një populli të pambrojtur”, tha ai.
Walker tha se me pavarësimin e vendit, shqiptarët dëshmuan se mund ta marrin në dorë shtetin dhe nënvizoi se personalisht është dhe do të mbetet një mik emocional me këtë popull.
Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri me këtë rast ka thënë se Komuna e Gjilanit nderoi njërin prej njerëzve, i cili i dha shpresë të ardhmes, në kohën kur rezistohej e luftohej me armë kundër pushtuesit dhe punohej kolektivisht për të arritur lirinë.
Haziri theksoi se ambasadori Walker i dha shpresë çdo luftëtari, çdo familje, çdo të burgosuri e çdo individi dhe e falënderoi atë për kontributin që ka dhënë që të fitohej liria kolektive dhe që Kosova të jetë e lirë dhe e pavarur.
“Ndihemi krenarë që sot, në kuadër të këtij viti, ky njeri i cili është angazhuar për Kosovën në të gjitha misionet e tij, është me ne”, ka thënë Haziri. /KP/