Gjilani ka konfirmuar zyrtarisht një rast pozitiv me coronavirus në skuadër dhe ndeshja para-kualifikuese ndaj Tre Penne në Ligën e Evropës është në rrezik të anulohet.
Klubi nga Kosova ishte gati për të nisur aventurën e tyre në garat evropiane gjatë ditës së sotme (e enjte) me fillim nga ora 21:00.
Megjithatë, ndeshja ndaj Tre Pennes në San Marino rrezikon të mos zhvillohet fare shkaku i coronavirusit.
Gjilani ka konfirmuar zyrtarisht se një lojtar i tyre ka rezultuar pozitiv me COVID-19 dhe instituti i shëndetësisë së San Marinos ka bërë thirrje që ndeshja të mos zhvillohet.
Në anën tjetër, Gjilani ka konfirmuar se lojtari dhe shoku i tij i dhomës janë karantinuar dhe janë në pritje të vendimit përfundimtar nga UEFA.
Postimi pa ndërhyrje i Gjilanit
KOMUNIKATË ZYRTARE
Sport Club “Gjilani” ka marrë rezultatet e testimeve të ditës së djeshme dhe rezultatet e ardhura sot, në skuadrën tonë ka rezultuar një futbollist i prekur me Covid-19.
Instituti i shëndetësis së San Marinos, ka bërë thirrje që takimi i planifikuar sot të mos të zhvillohet, megjithëse klubi i ka marrë masat e duhura ku ka izoluar futbollistin i cili ka rezultuar pozitiv dhe gjithashtu edhe futbollistin tjetër i cili ka qëndruar me të në një dhomë.
Duam të bëjmë të ditur se stafi administrativ i klubit po qëndron në kontakt të rregullt ata të Uefas dhe jemi në pritje të vendimit përfundimtar.
Zyra për Shtyp
San Marino, 20 Gusht
/Telegrafi/