Kështu mendon trajneri i Gjilanit, Muharrem Sahiti. Tekniku gjilanas gjatë kësaj verë është rikthyer në kreun e bankinës së Gjilanit.
Sahiti i ka thënë KosovaPressit, se skuadra e tij është e përgatitur mirë për sezonin e ri të garave. Sipas tij, misioni i gjilanasve do të jetë inkuadrimi në Superligë, por sipas Sahitit, jo me çdo kushtë. Ai thotë se tashmë klubi është duke u kthyer në shoqëri aksionare.
“Kryesia e klubit është duke punuar mjaft shumë. Klubi tani është duke menduar që të bëhet shoqëri aksionare. Sigurisht se ambiciet e klubit janë rikthimi në Superligë. Ky është synimi ynë, por nuk synojmë që me çdo kushtë të arrijmë këtë qëllim, sepse ne tani jemi duke punuar shumë që të krijojmë një skuadër të qëndrueshme”, ka thënë Sahiti.
I pari i gjilanasve mendon se futbollistët që i ka në dispozicion kanë përvojën e duhur për të arritur synimet e klubit.
“Këta lojtar që janë sot në skuadër kanë qenë pjesë e këtij klubi edhe tri vjet me parë dhe këta lojtar e patën kthyer Gjilanin në Superligë. Tani këta lojtar kanë përvojë edhe më të madhe dhe jam i bindur se mund të arrihen ambiciet e klubit”, tha ai.
Strategu gjilanas pohon se gara për majat e tabelës në Ligën e Parë do të zhvillohet në mes Gjilanit, Lirisë dhe Vëllaznimit.
“Sigurisht se do të jenë Gjilani, Liria dhe Vëllaznimin që do të zhvillojnë garën e madh për kreun e tabelës. Këto tri skuadra kanë traditë më shumë se skuadra tjera, sepse Gjilani, Liria e Vëllaznimi janë skuadra më emër në futbollin tonë, andaj gara për rikthim në Superligë do të zhvillohet në mes këtyre tri skuadrave, pa përjashtuar edhe ndonjë skuadër tjerë siç është Deçani”, ka theksuar Sahiti.
Sezoni i ri i garave në Ligën e Parë do të nis në këtë fundjave, ndërsa Gjilanin ndeshjen e parë do ta luajë para tifozëve te vet kundër Llapit. /Kosovapress/Telegrafi/