Komuna e Gjilanit bashkatdhetarët i ka pritur me aktivitete të ndryshme, për t’u ofruar atyre produktet vendore, duke organizuar panairin e prodhimeve vendore në fillim të muajit korrik, pastaj aktivitete të ndryshme kulturore dhe argëtuese, duke bërë shënimin e ditëve të shteteve mike nëpër botë, për ta përfunduar këtë muaj, po ashtu me një ”Panaxhyr” të prodhimeve vendore në shënim të “Ditëve të Mërgatës” – ”Gjilani 2015”, në kuadër të të cilit për tri ditë radhazi do të ketë edhe program kulturë – artistik dhe argëtim për bashkatdhetarët.
Me këtë rast, në fjalën e tij hapëse, kryetari Lutfi Haziri, ka thënë se këtyre ditëve jemi duke u takuar shumë shpesh për të promovuar programe, aktivitete dhe shënime të veçanta në Komunën e Gjilanit.
”Kemi dalë shumë shpesh këtyre ditëve para Teatrit për të promovuar dhe ndarë bashkërisht programe, aktivitete dhe shënime të veçanta. Sot po ndodhë një përsëritje e mirë e ”Panaxhyrit”, i cili, me prodhimet e veta, kryesisht në ushqim dhe prodhime të tjera, paraqet para të gjithë juve, e në veçanti para “gurbetçarëve”, potencialet e mundësitë tona, mbi të gjitha për t’u njohur me prodhimet vendore të Komunës së Gjilanit”, ka thënë kryetari Haziri.
Haziri ka thënë se kjo vapë e madhe në Gjilan, do të kalohet më lehtë me freskinë e shënimit të ditëve kulturore që në vazhdimësi do të jetë dita kulturore e shtetit të Austrisë, pastaj do të vazhdojmë me shtetet Nordike dhe do të përfundoj me 1 gusht me shënimin e “Ditës Kulturore të Zvicrës”, e cila e shënon në këtë datë Ditën e Shtetësisë.
”Çdo vit do të jetë më i zgjeruar “Panaxhyri” dhe do të jetë ditë e kalendarit festiv për Gjilanin”, ka thënë kryetari Haziri.
Ndërsa, nga ana e tij drejtori për Zhvillim Ekonomik, Ismajl Januzi, që është organizator i këtij panairi me rastin e ”Ditëve të Mërgatës”, ka thënë se panaire të tilla do të organizohen sa herë që të ketë kërkesë dhe nevojë komuniteti i biznesit.
”Këtë muaj e kemi nisur me panairin e prodhimeve të regjionit, për t’u mundësuar bashkatdhetarëve tanë të njihen me prodhimet vendore dhe po e përfundojmë pikërisht për ”Ditët e Mërgatës”, sepse edhe kërkesë e komunitetit të biznesit janë organizime të tilla. Është një mundësi e mirë që prodhuesit të shesin dhe blerësit, e me theks të veçantë bashkatdhetarët, të kenë mundësinë e blerjes së produkteve vendore të gjitha në një vend, në panair, në qendër të Gjilanit”, ka thënë Januzi. /Telegrafi/