Telegrafi

Gjilani e konteston fitoren e Prishtinës: Sot u bë krim në futboll

Kryesia e klubit futbollistik Gjilani thotë se skuadra gjilanase u dëmtua rëndë nga gjyqtarët në humbjen 1 me 0 nga Prishtina në kryeqytet.

Prishtina, që po kalon në një formë jo të mirë të rezultateve, fitoi me rezultat 1 me 0 me golin e Berat Hysenit nga pika e bardhë në minutën e 81-të.

Gjilani thotë se një referimi jo të drejtë i është frikësuar edhe para ndeshjes.

“Asaj që ju frikësuam fatkeqësisht na ndodhi,u dëmtuam rëndë nga referët dhe si duket akuzat tona po hasin ne vesh të shurdhët”, thuhet në reagimin e Gjilanit, që shton se pas ndeshjes është takuar me kryesinë e Prishtinës ku ka diskutuar për referimin e Hajriz Hajdarit.

Gjilani thotë se referimi i sotëm ishte krim ndaj futbollit dhe pengesë për pranim në UEFA.

“Me të dëgjuar për delegimin e Hajrizi Hajdarit në këtë takim, kemi pas frikë se një gjë e tillë do të ndodh pasi Hajrizi nuk është hera e parë që e dëmton K.F. Gjilanin andaj edhe kemi reaguar që organet kompetente të Federatës ta kenë parasysh këtë refer dhe të vijnë e ta vëzhgojnë. Ajo çfarë kanë bërë kjo treshe e referëve sot është krim ndaj futbollit, ndaj donatorëve, shikuesve dhe pengesë e madhe për pranimin në UEFA”, thuhet në reagim.

“Numri i rasteve në të cilat jemi dëmtuar nuk dihet ngase nuk kem arrit t’i numërojmë, por po i theksojmë vetëm dy, penalltia e pa qenë për Prishtinën dhe mos referimi i një penalltie pas ndërhyrjes në lojtarin tonë Betim Haxhimusa, rastet tjera i lusim mediat të cilat duan ta ngrisin futbollin tonë t’i shkëputin dhe t’i transmetojnë ato sepse sot me të vërtet ajo çfarë ka bërë Hajrizi duhet të publikohet dhe të dënohet rënd nga organet e FFK-së”, vazhdon reagimi i Gjilanit.

Në fund të reagimit Gjilani thotë se është duke menduar seriozisht për hapat e ardhshëm si klub në Superligën e Kosovës.

“Pas këtyre gjërave që po ndodhin nga disa referë të Superligës ne si klub kemi ardhë në pikën ku seriozisht po mendojmë për hapat e ardhshëm…”, përfundon reagimi i gjilanasve.