Kryekomunarët e Gjilanit dhe Kumanovës, Lutfi haziri dhe Zoran Damjanovski, janë takuar sot në Kumanovë, ku kanë diskutuar për mundësitë e përgatitjes së projektit ”Tregu i Gjelbërt”, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Ky projekt do të realizohet me fonde evropiane për bashkëpunim ndërkufitar Kosovë-Maqedoni. Përfaqësuesit e dy komunave do të punojnë në zbatimin e projektit që përfshinë ndërtimin e tregjeve moderne.
Damjanovski bëri të ditur se interesi i të dy palëve është i njëjtë, pra nga 200 mijë euro fillestare, si edhe pjesëmarrje prej 20-40% të qeverisjes lokale, varësisht nga ajo që do të kërkohet.
Ndërkaq, Lutfi Haziri shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin me komunën e Kumanovës për këtë projekt. Sipas tij, projekti do të sjellë përfitim për banorët e të dy komunave./Telegrafi/