Avdyl Aliu, shef i grupit të këshilltarëve komunalë (LDK), i cili e ka publikuar këtë nismë, të shtunën, në një konferencë me gazetarë, ka thënë se ylli i futbollit botëror, Xherdan Shaqiri, para disa ditësh u zgjedh anëtar nderi i Këshillit lokal në Zhegër, ku e ka vendlindjen.
Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, e ka mirëpritur këtë vendim të Këshillit lokal, duke dhënë idenë që ky nder t’i bëhet edhe Gjilanit, duke e shpall Shaqirin qytetar nderi.
Aliu ka thënë se “nisma, në emër të grupit të këshilltarëve të LDK-së, është prezantuar edhe para anëtarëve të Kuvendit Komunal, më 30 korrik dhe ka marrë 27 nënshkrime, nga 35 sish gjithsej. Të tjerët kanë kërkuar kohë, për të marrë mendim e subjektit të cilit i përkasin”.
Motivacion kryesor për shpalljen e Shaqirit qytetar nderi janë sukseset e tij në futboll, që shkojnë përtej çdo futbollisti tjetër shqiptar.
Xherdani shkëlqeu në botërorin 2014, ku u rendit në mesin e futbollistëve më të mirë në botë, krahas Messit dhe të tjerëve.
Aliu tha se pret që Xherdan Shaqiri do të jetë vetë i pranishëm në Gjilan, kur t’i akordohet titulli ‘qytetar nderi’, titull ky që deri tani e kanë marrë studiuesi Mehemt Halimi dhe ish-senatori amerikan Bob Dol. /KP/Telegrafi/