Komiteti për parandalimin e përhapjes së COVID-19 në Gjilan, ka mbajtur të hënën takimin e radhës, i cili është udhëhequr nga nënkryetari, Arbër Ismajli.
Ismajli ka vlerësuar se është lajm i mirë rënia e numrit të rasteve pozitive, derisa konfirmoi se janë 73 raste aktive në këtë komunë.
Gjendja e përgjithshme është kjo: 1008 të infektuar në total, 891 të shëruar, 73 raste aktive, 44 të vdekur, 12 të hospitalizuar dhe 12 mostra në pritje.
Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bën të ditur se numri total i rasteve pozitive është 15.472 raste nga 65.979 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 622 raste të vdekjes.
IKSHPK njofton numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 13.278 raste, kurse numri i rasteve aktive është 1.572. /Telegrafi/