Site icon Telegrafi

Gjilan, subvencionohen 40 lavërtarë dhe 155 bletarë

Komuna e Gjilanit, të ndihmuar nga organizata joqeveritare turke “TIKA”, ka subvencionuar sot 155 bletarë me pajisje dhe mjete të punës si dhe 40 lavërtarë me shpëndarëse të plehut/grurit, me të cilat do t’u lehtësohet puna bujqve gjilanas.

Në ceremoninë e shpërndarjes së këtyre pajisjeve për bujqit gjilanas, ka marrë pjesë kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, koordinatori për Kosovë i organizatës “Tika”, Ejup Ymytli, drejtori i Bujqësisë Ramiz Ramadani, si dhe ai i Zhvillimit Ekonomik, Ismail Januzi.

Me këtë rast, kryetari Haziri i ka ndarë mirënjohje përfaqësuesve të organizatës “Tika”, për kontributin e madh të dhënë për Kosovën në përgjithësi dhe Gjilanin ne veçanti.

Ai ka këtë vit do të rriten potencialet e Komunës për të mbështetur çdo familje që e punon tokën.
“Komuna e Gjilanit do t’u gjendet pran gjithmonë bujqve të Gjilanit, duke ulur shpenzimet e tyre minimalisht, në mënyrë që kryefamiljarët që e punojnë tokën të mos kenë shpenzime dhe të hyrat t’i kenë më të mëdha në mënyrë që prodhimet bujqësore t’i sigurojnë së pari për vete, me mundësinë që të dalin edhe në treg. E falënderoj organizatën turke “Tika”, që sot po i ndihmon edhe bletarët si kategori, por edhe lavërtarët. Është hera e tretë që po japim mjete ndihmëse për punimin e tokës. Do të vazhdojmë t’i rrisim potencialet tona që të mbështesim çdo familje që punon tokën”, ka thënë kryetari Haziri.
Kreu i Komunës tha se me “Tika”-n turke kanë vendosur një partneritet bashkëpunimi vëllazëror, duke potencuar se ky është vetëm fillimi sepse po koordinohen në programe tjera të punës.

Me këtë rast, kryetari Haziri ka paralajmëruar se Komuna po punon shumë që ta kthej industrinë e duhanit në Gjilan, për të ndihmuar qytetarët në prodhimin dhe përpunimin e tij.

Nga ana e tij, koordinatori për Kosovë i organizatës “Tika”, Ejup Ymytli, ka falënderuar kryetarin Haziri për bashkëpunimin e mirë, duke shtuar se gjilanasit janë me fat që e kanë një kryetar të tillë që i shërben qytetarëve gjatë tërë kohës.

Ndërkaq, drejtori i Bujqësisë në Gjilan, Ramiz Ramadani, pasi ka falënderuar organizatën “Tika” për bashkëpunimin, ka vlerësuar se këto pajisje do të ndikojnë shumë që fermerët t’i zhvillojnë veprimtaritë e tyre shumë më lehtë.

Ramadani ka përmendur, gjithashtu, edhe Panairin e Bletarisë që Komuna e Gjilanit do ta organizoj sërish, e i cili do të ketë karakter promovues dhe tregtues.

“DBP vitin e kaluar ka mbështetur 104 bletarë me 250 shtëpiza trekatëshe të tipit L&R me qëllim të përmirësimit të kushteve dhe po përpiqemi që bletarinë nga një aktivitet familjar ta ngrisim në biznes të qëndrueshëm prodhues dhe gjenerues të vendeve të reja të punës. Pos 155 bletarëve, sot nga ky subvencion po përfitojnë edhe 40 lavërtarë me shpërndarëse plehu/grurit, me të cilat pajisje do t’u lehtësohet puna këtyre bujqve”, u shpreh drejtori i DBP-së, Ramiz Ramadani.
Ndryshe, ky investim në bletari dhe lavërtari kap vlerën e 25 mijë eurove. /Telegrafi/

Exit mobile version