Site icon Telegrafi

Gjilan: Pas aksidentit, nxjerrin armët

Policia që këtë rast e ka vlerësuar si vrasje në tentativë, nëpërmjet telefonit ishte njoftuar se në këtë fshat në orët e mbrëmjes janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri dhe menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe me të dalë në vendngjarje ka mësuar se tre persona janë të lënduar.

K.D., i moshës 22- vjeçare, është lënduar në të dy këmbët si pasojë e gjuajtjeve më armë zjarri. V.M., i moshës 25-vjeçare, dhe L.D., 22-vjeçar, kanë marrë lëndime në pjesën e kokës si pasojë e goditjeve që kanë marrë me mjete të forta e që dyshohet se ata janë goditur me kondak të pushkës.

Siç ka thënë togeri Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë Rajonale të Gjilanit, që të tre të lënduarit me nguti janë bartur në Qendrën Emergjente në Gjilan, derisa mjekët e kësaj qendre kanë raportuar se të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetë.

I dyshuari B. K., i lindur më 1989, besohet të ketë shtënë në drejtim të viktimës gjersa edhe dy të dyshuarit e tjerë A. K., i lindur më 1986, si dhe M. M., i lindur më 1989, dyshohet se në mënyrë të drejtpërdrejtë të kenë ndikuar në dhënien e ndihmës të dyshuarit B. K. në kryerjen e veprës.

Dyshohet se motivet e këtij incidenti të rëndë të kenë qenë mosmarrëveshjet lidhur me një aksident të vogël trafiku që kishte ndodhur në mes të dy veturave të personave të përfshirë në këtë rast, të cilët në kohën e aksidentit kanë qenë duke përballëkaluar.

Që të gjithë personat e përfshirë janë banorë rezidentë të fshatit Miresh.

Pasi kanë kryer veprën, fillimisht të dyshuarit i janë shmangur policisë, por rreth orës 00:45 minuta, janë dorëzuar në stacionin policor të Gjilanit. Ndaj tre të dyshuarve me vendim të prokurorit është lëshuar vendimi mbi ndalimin në afat kohor prej 48-orësh.
Hetimet në lidhje me ngjarjen do të jenë në vazhdimësi deri në zbardhjen e plotë të saj, ka thënë togeri Ismet Hashani, zëdhënës i policisë. /Zëri//Telegrafi/
 

Exit mobile version