Site icon Telegrafi

Gjilan, kompanitë e autobusëve bojkotojnë punën – shkaku i tarifës së lartë për të hyrë në stacion

Për shkak të tarifës së lartë për të hyrë në stacion e për shkak të taksive ilegalë, shoferët e autobusëve në Gjilan gjatë ditës së sotme kanë bojkotuar punën dhe ky bojkotim i punës pritet të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vazhdim, deri sa Komuna të gjejë një zgjidhje.

Kryetari i Shoqatës së Transportuesve Urban në Gjilan, Rexhep Sejdiu në një prononcim për Telegrafin ka thënë se kanë pakënaqësi të shumta.

“Ne sot nuk kemi hyrë në stacionin e autobusëve, u kanë një pjesë ku janë ndalë taksitë por nuk kanë pasur shenja dhe ne jemi ndalur sot aty. Pra gjysmën e asaj pjese e kemi shfrytëzuar për të mos i penguar taksitë. Kanë ardhë policia dhe kanë marrë dy inspektorë të Komunës së Gjilanit, kanë vendosur shenja të taksive për me pas arsye me na dënu neve, pastaj ne jemi detyruar që të hyjmë në stacion të autobusëve. Për momentin ne jemi në protesta, kemi kërkuar zbritjen e pagesës për peron për 50 % sepse nuk po ka punë për shkak të pandemisë. Po ashtu kemi shumë probleme me taksi ilegalë dhe problemi tjetër është subvencionimi që kanë premtuar në Pakon Emergjente në përjashtim të atyre 170 eurove. Pagesa për peron tani për autobusët ndër urban është 3 euro, ndërsa për ata urban 1 euro, pra ata duhet të paguajnë për çdo hyrje në stacion ”, ka thënë ai.

Sejdiu paralajmëroi se do t’i parkojnë autobusët e tyre para Komunës së Gjilanit.

“Kemi pakënaqësi të ndryshme dhe ne tash jemi duke u përgatitur që të çojmë edhe disa autobusë para Komunës në Gjilan dhe t’ua lëmë atyre që të na mbrojnë bizneset tona sepse ne jemi lodhur për shkak se me vite jemi duke bërë këtë punë”, u shpreh ai.

Në fund, kryetari i Shoqatës së Transportuesve Urban tha se deri tani askush nuk është marrë me problemet që ata janë ballafaquar, ndërsa tani presin nga Komuna e Gjilanit që të gjejë një zgjidhje. /Telegrafi/

Exit mobile version