Site icon Telegrafi

Gjilan, kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarit për grabitje dhe kanosje

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Gjilan, që të dyshuarit H.K, t’ia caktojë masën e paraburgimit, për shkak të dyshimit të veprave penale “Grabitje” dhe “Kanosje”.

Në njoftim thuhet se ekziston dyshimi i bazuar që, më 11 shkurt 2019, në Gjilan, i dyshuari H.K., me përdorimin e forcës dhe kanosjes serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër dhe me qëllim të përvetësimit të pasurisë së luajtshme në mënyrë të kundërligjshme, ka përdorur dhunë fizike ndaj të dëmtuarit SH.A. dhe me forcë e ka grabitur automjetin e të dëmtuarit dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.

Gjithashtu, i dyshuari e ka kanosur seriozisht me fjalë të dëmtuarin, duke i thënë se në qoftë se vjen policia në shtëpinë time, ka me vra, duke shkaktuar te i dëmtuari ankth dhe frikësim.

Prokuroria ndaj tij, ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, pasi ka konsideruar që masat e tjera alternative nuk do të ishin të mjaftueshme për përfundimin e suksesshëm të hetimit të kësaj çështje. /Telegrafi/

Exit mobile version