Telegrafi

Gjilan, drejtë përfundimit projekti i kanalizimit atmosferik të lumit “Baja”

Banorët e lagjes “Dheu i Bardhë” brenda pak kohësh më nuk do të përballen me problemet e vërshimeve që ka shkaktuar lumi “Baja” ngase Komuna e Gjilanit është në përfundim të projektit të ndërtimit të kanalizimit atmosferik.

Për të parë nga afër punimet ka dalë në vendin e ngjarjes drejtori i Shërbimeve Publike, Sokol Haziri, i shoqëruar nga drejtori i Departamentit të Prokurimit, Salih Kqiku.

“Ky është njëri nga projektet e rëndësishme infrastrukturore të Komunës së Gjilanit në rregullimin e shtratit, përkatësisht kanalizimi atmosferik të lumit “Baja” që ka qenë zonë shumë problematike, posaçërisht kur ka të reshura dhe gjatë dimrit, dhe me këtë punë që është duke u bërë, kjo pjesë e qytetit do të jetë definitivisht e stabilizuar dhe nuk do të jetë e rrezikuar më nga ujërat e tepërta të “Bajës” dhe nga të reshurat që këtë vit i kemi pasur me bollëk”, ka thënë drejtori i DSHP-së, Sokol Haziri.

Projekti në fjalë ka një gjatësi prej 480 metrash vlera e të cilit është 132 mijë euro, që nis prej rrugës “Abdullah Presheva” për të vazhduar deri tek burimi i lumit “Baja”.

“Me dinamikën që është duke u zhvilluar shpresoj se shumë shpejt do të jetë pjesë e mbyllur e problemit dhe qytetarët do të kenë rehatinë e nevojshme. Është projekt shumë i mirë dhe do të jetë në interes shumë të madh të qytetarëve që jetojnë në këtë zonë. Kjo është një nga të arriturat e mëdha të katërshes së premtuar të kryetarit Haziri dhe jam shumë i kënaqur me cilësinë e punimeve këtu”, ka shtuar drejtori Haziri.

Ndërtimi i kanalizimit atmosferik është faza e dytë e punimeve në rregullimin e lumit “Baja”, meqë më herët ka përfunduar faza e parë e ndërtimit të kanalizimit fekal dhe me këtë kompletohet infrastruktura nëntokësore e tij në këtë pjesë të qytetit. /Telegrafi/