Site icon Telegrafi

Gjilan, 29 raste të reja me coronavirus

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, në takimin e sotëm të Komitetit të Emergjencave, ka kërkuar angazhim maksimal të të gjitha institucioneve në monitorimin e gjendjes pasi 29 raste të reja që e çojnë në 199 numrin total të rasteve aktive.

“29 raste të reja që sot janë konfirmuar pozitive janë një thirrje për kujdes maksimal dhe angazhim edhe më të shtuar të të gjitha institucioneve që këto raste të shkojnë gjithnjë e në rënie. Duhet të vazhdojmë ta luftojmë virusin me respektim të rekomandimeve të institucioneve të shëndetësisë për mbajtje të distancës, përdorim të masave mbrojtëse, kujdes më të madh për higjienën dhe shmangie të grumbullimit të njerëzve. Ju lutem shumë, të vazhdojmë t’i respektojmë masat antiCOVID-19 për ta ulur lakoren e infeksionit në zero”, ka thënë Ismajli.

Ai ka bërë të ditur se inspektorët komunalë janë duke kryer punën e tyre në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, sikur që edhe shërbimet primare dhe ato sekondare janë duke punuar vazhdimisht, në kuadër të ruajtjes së shëndetit publik dhe zbatimit të vendimeve të institucioneve të shtetit.

Statistikat e përgjithshme në totalin e përballjes me pandeminë janë gjithsej 502 raste të shëruara, 199 aktive, 29 të vdekur dhe 49 të hospitalizuar, derisa mostra në pritje janë 26. /Telegrafi/

Exit mobile version