Site icon Telegrafi

Gjilan, 1535 maturantë iu nënshtruan Testit të Maturës 

Në Komunën e Gjilanit sot është mbajtur testi i maturës për 1535 maturantë që këtë vit i nënshtrohen testimit me shkrim.

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Kadir Hysein, tha se Gjilani ka traditë shembullore të organizimit të testimit të nxënësve në të gjithë proceset edhe në testimin e arritshmërisë, por edhe në organizimin e testit të maturës gjithsesi.

“Në Gjilan gjithmonë testimi është mbajtur me përgatitjet e nivelit më të lartë të mundshëm dhe gjithçka ka shkuar mirë, në bazë të konfirmimit edhe nga komisionerët, menaxherët e qendrave dhe administruesve. Gjithçka është qetë dhe organizimi është në nivelin më të lartë të mundshëm. U shprehim urime maturantëve dhe suksese edhe në studime gjatë të ardhmes”, ka thënë mes tjerash nënkryetari Hysein.

Drejtori i Arsimit, Nazim Gagica, tha se në këtë afat të testimit janë bërë të gjitha përgatitjet me kohë dhe në nivelin më të mirë të mundshëm në bazë të protokollit që e parasheh organizimin e testimit dhe nuk ka asnjë vërejtje të evidentuar.

“Uroj të gjithë nxënësit që testimin ta kalojnë pa stres dhe pa shqetësim sepse ky është proces i vlerësimit të njohurive dhe shkathtësive të tyre dhe njëkohësisht është pragu i vazhdimit të tyre drejt Universiteteve që njëkohësisht është orientim në karrierën e tyre profesionale. Në testim janë përpos nxënësve shqiptarë edhe nxënës të komunitetit turk, të cilët njëkohësisht janë duke iu nënshtruar testimit”, ka thënë drejtori Gagica.

Nga ana e sa, edhe Shpresa Hyseni nga Ministria e Arsimit, e ka përgëzuar Komunën e Gjilanit për organizimin derisa ka bërë të ditur se gjithçka ka shkuar siç është më së miri dhe pa asnjë vërejtje.

Drejtori i gjimnazit “Xhavit Ahmeti”, Bekim Mustafa, tha se duke ditur nivelin e përgatitjeve që nxënësit e Gjilanit kanë treguar vazhdimisht edhe këtë vit besojmë se sukseset në nivel të komunave Gjilani të jetë sa më lartë. /Telegrafi/

Exit mobile version