Në pranga kanë rënë shtetasit Shkëlqim Besimaj, 39 vjeç dhe Dorjan Rrapi, 28 vjeç ndërsa janë shpallur në kërkim dy persona të tjerë, identiteti i të cilëve nuk bëhet ende i ditur.
Pas marrjes së informacionit, se nga fshati Lazarat katër persona po transportonin një sasi lënde narkotike, me një automjet tip Fuoristrade në drejtim të Sarandës, policia ka ngritur disa pika kontrolli në aksin rrugor Gjirokastër- Muzinë.
Personat që transportonin lëndën narkotike, për t’ju shmangur pikave të kontrollit, në afërsi të fshatit Grapsh të rrethit Gjirokastër, kanë shkarkuar nga automjeti lëndën narkotike në një përrua dhe dy pjestarë të këtij grupi kanë filluar të transportonin me krahë në drejtim të faqes së malit të Muzinës. Por, policia pasi ka konstatuar këtë veprim është vënë në ndjekje të tyre dhe ka bërë të mundur arrestimin e dy personave.
Sipas policisë, në vendngjarje janë konstatuar katër çanta të mëdha shpine ku në secilën çantë kishte nga 35 pako, ndërsa në një thes plasmasi kishte dhjetë pako, gjithësej 150 pako në formë katrore, të mbështjella me letër natriban transparent. Policia tashmë është vënë në kërkim të dy autorëve të tjerë./Telegrafi/