Reperët Skerdi dhe Gjiko, kanë përfunduar së fundmi përgatitjet për projektin tyre më të ri, këngën dhe klipin “Faje”.
Në një prononcim ekskluziv për Telegrafin, Gjiko rrëfen detajet e këtij bashkëpunimi mjaft interesant.
“Kënga është realizuar në mes të treshes Big Bang, Skerdi dhe nga vet unë, ndërsa tekstin gjithashtu e kam shkruar vet. Është një këngë ritmike verore, e cila shpresoj të pritet mirë nga publiku”, tha Gjiko për Telegrafin.
Në vazhdimin e bisedës, reperi tregon edhe për tematikën që trajton kënga e re e dyshes, e cila që nga titulli na asocion në “faj”.
“Kënga e re flet për fajet në një lidhje dashurie, edhe pse e dimë që faji gjithmonë mbetet jetim”, tregon reperi.
Ditë më parë kanë përfunduar edhe xhirimet e klipit, të cilat janë kryer në vende bregdetare dhe do të sjellin një atmosferë verore në projektin e tyre të ri.
“Xhirimet e klipit janë kryer me produksionin Entermedia, kemi xhiruar në një pjesë të Shkodrës, por edhe në bregdet, kështu që klipi do të jetë mjaft veror dhe i përshtate sezonës”, tha reperi për Telegrafin.
Gjiko do të jetë mjaft i angazhuar këtë verë me koncerte dhe projekte të reja. Për Telegrafin, reperi tregon se vera 2017 do të jetë mjaft e angazhuar me të.
“Do të jem mjaft i angazhuar nga tani deri në fund të verës, me projekte të reja në muzikë, por gjithsesi koncertet janë angazhimi më i madh”, përfundoi Gjiko rrëfimin e tij.
Telegrafi ju sjell ekskluzivisht edhe trailerin e klipit të ri nga Skerdi dhe Gjiko, të punuar nga Entermedia.
Kënga publikohet nesër (e diele) në ora 13:00. /Telegrafi/