Është raportuar se një klub i Ligës Premier ka hapur bisedimet me Sporting Lisbonën për transferimin e sulmuesit Viktor Gyokeres.
Sulmuesi suedez është njëri ndër lojtarët më të përmendur në Evropë për momentin për shkak të fillimit fantastik të sezonit.
Deri më tani në sezonin 2024/2025, 26-vjeçari ka shënuar 24 gola dhe ka regjistruar katër asistime në të gjitha garat këtë sezon.
Si rezultat i formës së tij të mirë, reprezentuesi suedez është lidhur me një largim nga Sportingu, ku klube si Liverpooli, Arsenali, Manchester United, Chelsea dhe Paris Saint-Germaini kanë shprehur interesim për të.
Sidoqoftë, mbrëmjen e së hënës, gazetari Florian Plettenberg raportoi se United ka hapur bisedimet për transferimin e Gyokeres në afatin kalimtar veror.
“Manchester United ka nisur kontaktet e para konkrete sa i përket Viktor Gyokeres para një lëvizje të mundshme në verë. ‘Djajtë e Kuq’ janë tërësisht të përfshirë”.
“Sidoqoftë, kjo do të kërkojë shitje fillimisht. Manchester City po ashtu ka rritur përpjekjet e tyre gjatë ditëve të fundit. Hugo Viana momentalisht po shtyn fortë në kërkim të Gyokeres”, ka shkruar Plettenberg.
Unitedi do të shpresojë se ideja e ribashkimit me ish-trajnerin Ruben Amorim mund ta joshë Gyokeres që ta pranojë kalimin në ‘Old Trafford’. /Telegrafi/