Site icon Telegrafi

Gjiganti anglez bëhet favorit për të nënshkruar me Wirtz, gati oferta prej 130 milionë eurove

Florian Wirtz është një nga talentët më të mëdhenj në botë dhe njëkohësisht një nga më të kërkuarit nga top klubet evropiane.

Mesfushori gjerman ka disa vite që shkëlqen me fanellën e Bayer Leverkusenit, ku sezonin e kaluar fitoi edhe dy trofetë në Gjermani, kampionatin dhe Kupën.

21-vjeçari kishte oferta të shumta, por Leverkuseni nuk u bind për ta shitur atë, megjithatë kampionët në fuqi të Gjermanisë nuk mund ta mbajnë edhe gjatë në ‘Bay Arena’.

Reprezentuesi gjerman kërkohet nga top klube si Bayern Munich, Real Madrid, Barcelona, Arsenal, Liverpool e Manchester United.

Por së fundmi fuqishëm në garë është futur edhe kampioni në fuqi i Anglisë, Manchester City që dëshiron të bëjë ‘çmenduri’ për transferimin e gjermanit.

Pep Guardiola i ka bërë të qartë drejtuesve të Cityt se e dëshiron me çdo kusht gjermanin në ‘Etihad Stadium’, pasi e sheh Wirtzin si zëvendësuesin perfekt të Kevin de Bruyne.

The Sun ka raportuar se City është i gatshëm të ofrojë deri në 130 milionë euro për transferimin e gjermanit, por nuk përjashtohet mundësia që t’i ofrojë Leverkusenit edhe ndonjë lojtar të ri nga Akademia e klubit.

Kampionët në fuqi të Anglisë tani janë skuadra favorite për t’i siguruar shërbimet e Wirtz, pasi vet lojtari gjerman ka pranuar më parë se do të donte që një ditë të punonte me Pep Guardiolën. /Telegrafi/

Exit mobile version