Site icon Telegrafi

Gjigantët e teknologjisë synojnë të marrin të gjitha të dhënat tona

Ilustrim

Nga: Chris Stokel-Walker / The Guardian (titulli origjinal: Here’s the deal: AI giants get to grab all your data unless you say they can’t. Fancy that? No, neither do I)
Përkthimi: Telegrafi.com

Paramendoni disa njerëz që shkojnë drejt një pabi me një makinë sportive të klasit më të lartë – le të themi një Koenigsegg Regera prej 1.5 milion funtave [1.8 milion euro] – e parkojnë atë dhe dalin ngadalë nga automjeti. Ata hyjnë në pab ku po pini ju dhe fillojnë të ecin rreth klientëve, duke futur dorën në xhepat tuaj, para syve të të gjithëve, dhe duke buzëqeshur teksa nxjerrin portofolin tuaj dhe e zbrazin atë nga paratë dhe kartat brenda.

Hajnia, jo aq e fshehtë, ndalon nëse ti bërtet dhe pyet se çfarë dreqin ata po bëjnë. “Më falni për shqetësimin”, thotë hajni i xhepit. “Shoki, ti e ke mundësinë të refuzosh”.

Tingëllon absurde. Megjithatë, duket se kjo është qasja që qeveria ndjek për të kënaqur kompanitë e inteligjencës artificiale (AI). Sipas Financial Times-it, do të hapet së shpejti një konsultim që do t’ua lejojë kompanive të AI-së të grumbullojnë përmbajtje nga individë dhe organizata, përveç nëse këta të fundit refuzojnë në mënyrë eksplicite përdorimin e të dhënave të tyre.

Revolucioni i AI-së ka qenë po aq gjithëpërfshirës sa edhe i shpejtë. Edhe nëse nuk jeni një nga 200 milionë njerëzit që futen çdo javë në ChatGPT, ose nëse përdorni konkurrentët e tij të AI-së gjenerative si Claude dhe Gemini, padyshim që keni bashkëvepruar me një sistem AI-së – qoftë me dijeni ose jo. Por, vrulli i AI-së ka nevojë për dy burime të furnizimit të vazhdueshëm, në mënyrë që të mbijetojë dhe të mos shuhet. Njëri është energjia – për këtë arsye kompanitë e AI-së po hyjnë në biznesin e blerjes së termocentraleve bërthamore. Dhe, tjetri është të dhënat.

Të dhënat janë thelbësore për sistemet e AI-së, sepse ato ndihmojnë në zhvillimin e mënyrave të bashkëveprimit tonë. Nëse AI-ja ka ndonjë “njohuri” – dhe kjo është shumë e diskutueshme, duke marrë parasysh që në të vërtetë është thjesht një makinë që përshtat modelet – atëherë ajo vjen nga të dhënat me të cilat është trajnuar.

Një studim parashikon se modelet e mëdha të gjuhës si ChatGPT, do të mbeten pa të dhëna trajnimi deri në vitin 2026, kjo për shkak të oreksit të tij të pangopur. Megjithatë, pa ato të dhëna, revolucioni i AI-së mund të ndalet. Kompanitë e teknologjisë e dinë këtë, prandaj po nënshkruajnë marrëveshje licencimi për përmbajtje të përgjithshme nga të gjitha anët. Por, kjo krijon pengesa, ndërsa një sektor motoja jozyrtare e të cilit gjatë dekadës së fundit ka qenë “vepro shpejt dhe mos mendo”, nuk i pëlqen pengesat.

Për këtë arsye, ata tashmë po përpiqen të na shtyjnë drejt një qasjeje të heqjes dorë nga e drejta e autorit, ku gjithçka që shkruajmë, postojmë dhe ndajmë janë të destinuara të bëhen paraprakisht të dhëna trajnimi për AI-në, përveç nëse themi jo kur kompanitë duhet të kërkojnë lejen tonë për të përdorur të dhënat tona. Ne tashmë mund të shohim se si kompanitë po na përgatisin për këtë realitet: këtë javë, X-i filloi të njoftojë përdoruesit për një ndryshim në kushtet dhe rregullat e përdorimit që do të mundësonte që të gjitha postimet të përdoreshin për të trajnuar Grok-un, modelin AI të Elon Muskut, i krijuar për të konkurruar me ChatGPT-në. Ndërsa, Meta, kompania që ka në pronësi Facebook-un dhe Instagram-in, ka bërë një ndryshim të ngjashëm – duke rezultuar në legjendën urbane virale “Lamtumirë Meta AI” që supozohet se përmbys marrëveshjet ligjore.

Arsyeja pse kompanitë e AI-së duan një përfshirje automatike me mundësi të refuzimit të mëvonshëm është e qartë: nëse pyet shumicën e njerëzve nëse duan që diçka nga librat që shkruajnë, muzika që prodhojnë, ose postimet dhe fotot që ndajnë në rrjetet sociale të përdoren për të trajnuar AI-në, ata do të thonë jo. Dhe, pastaj revolucioni i AI-së dështon. Arsyeja pse qeveritë duan të mundësojnë një ndryshim të tillë në konceptin e të drejtës së autorit, i cili ka ekzistuar për më shumë se 300 vjet dhe është përfshirë në ligj për më shumë se 100 vjet, është më pak e qartë. Por, si shumë gjëra, duket se ka të bëjë me paratë.

Qeveria është përballur me lobime nga kompanitë e mëdha të teknologjisë që sugjerojnë se kjo është një kërkesë për t’i vlerësuar shtetet e tyre si vende për të investuar dhe për të ndarë përfitimet e inovacionit të AI-së. Një dokument lobimi i shkruar nga Google sugjeronte se mbështetja e saj për përfshirje automatike të regjimit të të gjitha të drejtave të autorit, me mundësi refuzimi nga individët të caktuar, do të “siguronte që Mbretëria e Bashkuar të mund të ishte vend konkurrues për zhvillimin dhe trajnimin e modeleve të AI-së në të ardhmen”. Korniza e propozuar nga qeveria, për këtë çështje, e cila tashmë vendos qasjen me mundësi refuzimi, është një fitore e madhe për lobistët e teknologjisë së madhe.

Duke marrë parasysh shumën e parave që qarkullon në sektorin e teknologjisë dhe nivelin e investimeve të hedhura në projektet e AI-së, nuk është për t’u habitur që Keir Starmer nuk dëshiron të humbasë potencialin e fitimeve të mundshme. Qeveria do të ishte neglizhente nëse nuk do të merrte parasysh mënyrën për të kënaqur kompanitë teksa ato po zhvillojnë një teknologji që ndryshon botën, dhe për të bërë Mbretërinë e Bashkuar një fuqi në fushën e AI-së.

Por, kjo nuk është përgjigjja. Të jemi të qartë: skema e propozuar e të drejtave të autorit në Mbretërinë e Bashkuar do t’u lejonte në mënyrë efektive kompanive që të grabisin të dhënat tona – çdo postim që bëjmë, çdo libër që shkruajmë, çdo këngë që krijojmë – pa asnjë pasojë. Do të na kërkonte që të regjistroheshim në çdo shërbim të veçantë dhe t’u themi atyre jo, nuk duam që ata të përpunojnë të dhënat tona dhe të na japin një imazh të dobët tonin. Potencialisht, qindra prej tyre, nga kompanitë e mëdha teknologjike deri te laboratorët e vegjël kërkimorë.

Që të mos harrojmë, OpenAI – një kompani tani e vlerësuar në më shumë se 150 miliardë dollarë – po planifikon të heqë dorë nga parimet e saj themeluese jofitimprurëse për t’u bërë një kompani fitimprurëse. Ajo ka më shumë se mjaftueshëm para për të paguar për të dhënat e trajnimit, në vend që të mbështetet te bujaria e publikut të gjerë. Kompani të tilla padyshim që mund të përballojnë të fusin duart në xhepat e tyre, dhe jo në tanët. Prandaj, larg duart. /Telegrafi/

 

 

 

Exit mobile version