Vendet evropiane të hënën ndërmorën hapa të rinj drejt gjetjes së një rrugëdalje nga bllokimi i pandemisë, ndërsa debatet po zhvillohen që sa më shpejtë të lehtësohen masat, pasi po e mbysin jetën e zakonshme dhe ekonomike.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, në Britani, Kryeministri Boris Johnson u kthye në punë pas betejës së tij me COVID-19.
Ndërkojë mbi 206 mijë persona kanë ndërruar jetë globalisht nga coronavirusi, duke infektuar gati tre milionë njerëz në të gjithë botën, ndërsa më rëndë u goditën Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Mirëpo të katër vendet e prekura në Evropë, të gjitha kohët e fundit kanë raportuar rënie ditore të vdekjeve, duke rritur shpresën se piku i shpërthimit të tyre ka kaluar.
Italia dhe New York-u kanë paraqitur plane të rihapjes së pjeshme, ndërsa Franca dhe Spanja pritet të ndjekin të njëjtën udhë këtë javë.
Në Zvicër, dyqanet tashmë janë hapur, ndërsa nxënësit e shkollës fillore në Norvegji iu kthyen mësimit.
Megjithatë, kryeministri britanik Johnson, paralajmëroi se ishte shumë herët që Britania e Madhe të lehtësonte masat e izolimit.
Në paraqitjen e tij të parë publike, 55-vjeçari tha se nuk mund të hedhë poshtë të gjitha përpjekjet e popullit britanik, dhe të rrezikojë një shpërthim të dytë nga coronavirusi.
Raportohet se më shumë se 20 mijë persona kanë ndërruar jetë nga coronavirusi në Britani të Madhe, ndërsa qeveria e Johnson është kritikuar pasi u tregua e ngadaltë për imponimin e masave që nga fillimi i shpërthimit të sëmundjes.
Diku tjetër, liderët dhe ekspertët janë duke menduar se si ta ngjallin ekonominë dhe të lirojnë qytetarët nga izolimi pa ndodhur ndonjë valë e dytë infeksionesh.
Parashikimet ekonomike paralajmërojnë për rënien më të rëndë të shekullit, ndërsa çmimet e naftës po bien mes rrezikut të furnizimit.
Në SHBA, ku Presidenti Donald Trump nuk e dha të dielën konferencën e tij të përditshme të coronavirusit, pasi u shpreh se nuk ia vlen përpjekja, sipas tij shtetet po vepronin me hapa të ndryshëm për të mbështetur masat e mbylljes që kanë fshirë miliona vende pune.
Frika dhe Padurimi
Qeveritë evropiane që tashmë kanë parashtruar plane për të lehtësuar kufizimet, po përballen me një përzierje frike dhe padurimi nga pjesë të ndryshme të shoqërisë.
Në Itali peshkopët katolikë janë të zemëruar për zgjatjen e masave, ndërsa disa mësues në Francë kanë frikë se një kthim i planifikuar në shkollë më 11 maj mund të jetë i rrezikshëm.
Gjermania e cila filloi heqjen e kufizimeve javën e kaluar, gjithashtu ka parë shenja të padurimit, pasi vendi po përballet me rritje të protestave të vogla kundër të lirisë personale.
Në Norvegji pati reagime të ndryshme midis prindërve pasi fëmijët e vegjël u kthyen në shkollë të hënën, me klasa të ndara me nga 15 studentë për arsye sigurie.
“Ajo ishte e gatshme në orën gjashtë të mëngjesit, tre orë më parë. Ajo ishte aq e ngazëllyer që të kthehej përsëri”, tha Karine Rabbe për AFP për vajzën e saj shtatë vjeçare, e cila ishte rikthyer në shkollë në Oslo të Norvegjisë.
Mirëpo ajo shtoi se personalisht do të preferonte që shkollat të prisnin disa javë të tjera, në mënyrë që të jenë më të sigurt.
Në Zvicër, dentistët, çerdhet dhe parukierët ishin ndër dyqanet që u rihapen të hënën, ndërsa Zelanda e Re gjithashtu ishte e përgatitur të fillonte daljen e saj nga izolimi.
“Jam i kënaqur që po fillojmë përsëri. Nëse nuk punojmë nuk do të fitojmë asgjë”, tha floktarja Anita Ayma në Gjenevë.
Ndërkohë Kina lejoji dhjetëra mijëra nxënës të ktheheshin në shkollë pas muajsh të izolimit.
“Më vjen mirë, ka kaluar shumë kohë që nuk i kam parë shokët e mi të klasës”, tha 18-vjeçari Hang Huan në Shanghai.
Infeksionet në Kinë janë zvogëluar në mënyrë dramatike që kur virusi u shfaq për herë të parë në fund të vitit të kaluar. Por frika ekziston ende për një valë të dytë të mundshme të infeksioneve dhe rasteve të importuara nga jashtë.
Nxënësit në Pekin, ku vetëm të maturantët e shkollave të mesme u lejuan të kthehen, duhet të kontrollojnë temperaturat e tyre në portat e shkollës dhe duhet të tregojnë kodet shëndetësore “jeshile” në një aplikacion që llogarit rrezikun e infeksionit të një personi.
Gjetja e një normaliteti të ri
Ndërsa shkencëtarët garojnë për të zhvilluar trajtime dhe përfundimisht një vaksinë për virusin, vendet po eksperimentojnë me mënyra të re jetese.
Disa vende planifikojnë të prezantojnë aplikacione për gjurmimin e viruseve për të paralajmëruar përdoruesit nëse janë afër dikujt që ka rezultuar pozitiv – aplikacion tashmë i shkarkuar nga gati dy milionë australianë, pavarësisht shqetësimeve të intimitetit.
Në Itali, Kryeministri Giuseppe Conte paralajmëroi se njerëzit do të duhet të mbanin maska në vende publike dhe të respektojnë me rigorozitet masat e distancimit shoqëror kur hiqen kufizimet aktuale më 4 maj.
Normat kulturore si përqafimet dhe shtrëngimet e duarve gjithashtu do të dekurajohen.
Italia po hyn në një epokë “përgjegjësie dhe bashkëjetese me virusin”, i tha Conte kombit në një transmetim në television.
Përtej Atlantikut, Guvernatori i New York-ut, Andrew Cuomo, skicoi planet për të rihapur ngadalë ekonominë e shtetit, duke thënë se disa firma prodhuese dhe ndërtimi mund të rifillojnë punën më 15 maj. Por disa shtete amerikane të udhëhequra nga konservatorët po e shpejtojnë afatin kohor.
Duke hedhur poshtë këshillat e ekspertëve më të mirë të sëmundjes, Xheorxhia ka lejuar mijëra biznese të rifillojnë operimet, ndërsa Oklahoma do të lejojë që restorantet dhe kinematë të rihapen nga maji.
Ndërkohë, miliona muslimanë në mbarë botën po mësohen gjithashtu me një Ramazan pa namaze masive në xhami ose tubime familjare gjatë iftarit. /Telegrafi/