Site icon Telegrafi

Gjetën të boshatisur burgun ku mbaheshin militantët e ISIS-it në Siri, ministri turk tregon detajet

Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, ka thënë të hënën se luftëtarët kurdë të Sirisë kishin zbrazur një burg në të cilin gjendeshin të burgosur të Shtetit Islamik në një pjesë të Sirisë.

Duke folur para gazetarëve në Ankara të hënën, Akar tha se YPG kishte zbrazur burgun e vetëm të Shtetit Islamik që forcat turke kishin arritur deri më tani në zonën e parashikuar “zonë të sigurt” dhe se të burgosurit ishin larguar nga aty, përcjell Telegrafi.

“Siç e dini, ekziston një çështje e burgjeve në këtë temë. Ne jemi të vendosur të tregojmë përpjekjen maksimale për këto burgje. Sidoqoftë, ekzistonte vetëm një burg (i tillë) në rajonin tonë”, citohet të ketë thënë Akar.

“Kur shkuam atje, pamë se ishte zbrazur nga YPG dhe militantët e Shtetit Islamik atje ishin rrëmbyer. Ne e përcaktuam këtë përmes fotografive dhe filmimeve,…”, ka shtuar ai.

Akar nuk tha se sa të burgosur besohej se ishin marrë nga burgu, as nuk sqaroi se kush i kishte marrë të burgosurit dhe ku i kishte dërguar. Gjithashtu nuk ka asnjë koment të menjëhershëm nga YPG.

Ndryshe, Turqia nisi një operacion ndërkufitar kundër milicisë së YPG në veri-lindje të Sirisë javën e kaluar, pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, vendosi të tërhiqte forcat nga dy poste në zonë në një veprim që nxiti kritika të forta ndërkombëtare.

Sulmi turk ka shkaktuar alarmin se mund të lejojë militantët e Shtetit Islamik të shpëtojnë nga burgjet e drejtuara nga kurdët në veri të Sirisë dhe të riorganizohen. Ankaraja i ka hedhur poshtë këto shqetësime.

Qëllimi i deklaruar i Turqisë thuhet se është të pastrojë rajonin e saj kufitar jugor të YPG, të cilin e shikon si një organizatë terroriste, dhe të formojë një “zonë të sigurt” 30 km (20 milje) në territorin Sirian ku dëshiron të vendosë miliona refugjatë sirianë.

Ankaraja gjithashtu u zotua të marrë përgjegjësinë për militantët e ISIS brenda “zonës së sigurt”, por tha se nuk do të përgjigjet për të tjerët. /Telegrafi/

Exit mobile version