Prenk Gjetaj, i pari i Komisionit Qeveritar për të Pagjetur, ka folur për rastin e Sejdi Thaçit, i cili rezultoi se nuk ka qenë person i zhdukur.
Gjetaj ka thënë se është vështirë të jetë i gjallë, dikush nga personat që janë zhdukur nga forcat serbe në Kosovë me dhunë, edhe pse do të ishte mjaft mirë që një gjë e tillë të ndodhte, transmeton Koha.net.
“Do të ishte befasi e këndshme, së paku të ishte dëshmitar. Kam kërkuar nga gazetari të mos bëhet publike derisa të ketë verifikim. Vështirë është që dikush të jetë i gjallë, pak e besueshme”, ka thënë Gjetaj në “Interaktiv” të KTV-së.
Ai ka thënë se menjëherë pas publikimit të lajmit ka kërkuar në bazë të informacioneve dhe më pas ka takuar personin në fjalë, kur edhe e kishte kuptuar se ai person, aksidentalisht, është identifikuar si person i zhdukur.
Shumë familjarë, sipas Prenk Gjetajt, janë drejtuar te ai të kërkonin sqarime, por edhe te Sejdi Thaçi.
“Jam detyruar që ta mbyll telefonin atë natë. Nuk dija se çfarë përgjigje t’u jepja familjarëve që thërrisnin, e pasi jam takuar me personin në fjalë, u jam përgjigjur”, ka thënë Gjetaj.