Telegrafi

Gjetaj dhe Holliday diskutojnë për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenkë Gjetaj, ka pritur sot në takim drejtorin e Programeve për Ballkanin Perëndimor të Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, Matthew Holliday, ku është diskutuar mbi procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur dhe intensifikimin e bashkëpunimit e të gjithë akterëve të përfshirë në këtë proces.

Në takim u bisedua po ashtu edhe rreth nismës rajonale të Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, për hartimin e një ‘Liste Rajonale të Personave të Zhdukur’, gjegjësisht Bazën e të Dhënave të rasteve aktive të personave të zhdukur si pasojë e luftërave në ish-Jugosllavi.

Me këtë rast, Gjetaj ka ndarë të dhënat minimale të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, me Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, me qëllim të përfshirjes në Bazën e të Dhënave Rajonale të rasteve aktive të personave të zhdukur.

“Presim që edhe kjo nismë rajonale t’i kontribuon intensifikimit të procesit të ndriçimit të fatit të personave të zhdukur, me qëllimin parësor që familjet e personave të zhdukur të mësojnë sa më parë për fatin dhe vendndodhjen e familjarëve të tyre të zhdukur”, tha ai.

Ndërsa, drejtori i Programeve për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, Matthew Holliday, tha se vendimi i Komisionit të Kosovës për Persona të Zhdukur që t’i parashtrojë të dhënat për përfshirje në Bazën e të Dhënave të rasteve aktive të personave të zhdukur nga konfliktet e armatosura në ish-Jugosllavi, është një hap i madh përpara në aspektin e bashkëpunimit rajonal në procesin e kërkimit edhe të rreth 12.000 personave që ende mungojnë.

“Baza e të Dhënave do të sigurojë ndarjen transparente të të dhënave mbi rastet aktive të personave të zhdukur midis institucioneve kompetente në Ballkanin Perëndimor dhe kështu t’i ndihmojë ata të zgjidhin më shumë raste dhe të përmbushin detyrimet e tyre ndaj mijëra familjeve të të zhdukurve që janë ende në kërkim të më të dashurve të tyre”, tha ai.

Ndryshe, angazhimi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur në këtë nismë rajonale,  është edhe një përmbushje e prioriteteve të planifikuara në kuadër Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit./Telegrafi/