Telegrafi

Gjesti i jashtëzakonshëm i tifozëve të Spanjës për Kroosin është bërë viral në rrjetet sociale

Tifozët e Spanjës kanë nderuar mbrëmë (5 korrik) karrierën e bujshme të Toni Kroos pasi gjermani luajti ndeshjen e tij të fundit si futbollist profesionist.

Kroos i dha fund karrierës 17-vjeçare të premten teksa nikoqiri Gjermania u eliminua nga Euro 2024 pas humbjes dramatike që pësuan ndaj Spanjës.

Përkundër faktit që u rikthyen në lojë me një gol të Florian Wirtz në minutat e fundit, mbrëmja e së premtes përfundoi duke i lënë lojtarët dhe tifozët gjermanë me zemra të thyera pasi një gol i Spanjës në minutën 120-të i eliminoi ata nga gara.

Kjo do të thotë se Kroos ka luajtur ndeshjen e tij të fundit si futbollist aktiv vetëm një muaj pasi i dha fund karrierës me klub duke fituar Ligën e Kampionëve me Real Madridin.

Ani pse Kroos ishte mjaft i ashpër ndaj lojtarëve spanjollë gjatë ndeshjes, kjo nuk i ndaloi tifozët e Spanjës që ta nderojnë karrierën e tij duke e duartrokitur pas përfundimit të ndeshjes.

Një video e postuar nga gazetari Florian Plettenberg tregon se si tifozët spanjollë e duartrokitën dhe kënduan për Kroosin në shenjë respekti dhe mirënjohje.

Natyrisht, fakti që ka shpenzuar më shumë se një dekadë me kampionin aktual të Spanjës, Real Madridin, shumë tifozë spanjollë e njohin mirë mesfushorin i cili tashmë është një legjendë në ‘Santiago Bernabeu’.

34-vjeçari ka fituar 23 trofe me Real Madridin, duke përfshirë gjashtë tituj të Ligës së Kampionëve dhe katër tituj të La Ligas.

Kroos paraprakisht ishte pensionuar nga kombëtarja në korrik të 2022-ës, por u rikthye tek Gjermania për Euro 2024 pas një bisede me përzgjedhësin Julian Nagelsmann.

Ai numëron 114 paraqitje për Gjermaninë dhe ishte pjesë e ekipit që fitoi Botërorin në vitin 2014 duke mposhtur Argjentinën në finale me golin e Mario Gotzes në minutën e 113-të./Telegrafi/