Telegrafi

Gjestet antistres

Në periudhat e stresit gjithçka bëhet më e vështirë. Por jo vetëm kaq: tendosja dhe nervozizmi mund t’ju shtyjnë të bëni gjeste automatike dhe jo të vullnetshme, si të ngrënit e thonjve ose të kafshuarit e buzëve, që sigurisht nuk e përmirësojnë pamjen tuaj.

Nëse ha thonjtë
Gjatë periudhave të stresit hani thonjtë deri në rrëzë. Për të hequr dorë nga kjo gjë, a keni provuar ndonjëherë të përkujdeseni për to njësoj sikur të ishin të gjatë? Ja çfarë duhet bërë: zgjidhni një manikyr të ri, me tonalitetin që tërheq më shumë vëmendjen tuaj. Pastaj përgatisni gjithçka që nevojitet për një manikyr profesional, përfshirë edhe një tas me ujë të ngrohtë dhe me lëngun e një gjysme limoni. Fusni gishtat për nja 10 minuta në mënyrë që të zbusni lëkurën rreth thonjve. Për ta shtyrë lëkurën përdorni një shkopth të ngjyer në një krem me lanolinë. Me një limë kartoni, rrumbullakosni anët e thonjve, duke e lënë majën katrore.
Pastaj lajini dhe masazhojini mirë me vaj bajamesh. Aplikoni mbi thonj një bazë transparente, pastaj kaloni tek manikyri. Kur të keni mbaruar, kënaqësia, duke parë duar kaq të rregullta, do të jetë më e madhe se dëshira për t’i ngrënë thonjtë.

Nëse shtrydhni pikat e zeza
Të torturoni pikat e zeza është metoda juaj antistres. Problemi është se e bëni pa u menduar. Duke harruar edhe rregullat bazë. Rezultati? Skuqje dhe acarime. Për ta ndaluar këtë gjë, eliminojini njëherë e përgjithmonë pikat e zeza, duke ia besuar pastrimin e fytyrës një estetisti. Duhet të mbani mend që pas një trajtimi të thellë, fytyra është më e brishtë dhe duhet mbajtur mirë. Për të ruajtur sa me gjatë rezultatet e pastrimit, në mëngjes përdorni shkumë: në kontakt me ujin ajo çliron nga poret papastërtitë, pa e acaruar epidermën. E rëndësishme: aplikoni gjithmonë tonikun, ka një veprim dezinfektues dhe mbyll poret, duke shmangur depozitimin e skorieve gjatë ditës. Ndërsa në mbrëmje zëvendësojeni detergjentin me peceta të lëngshme për heqjen e trukut.

Nëse kafshoni buzët
Nga të kafshuarit, buzët i keni të plasaritura dhe me ndonjë plagë të vogël. Ja se si t’i bëni sërish të lëmuara dhe të përsosura. Përgatisni një përzierje zbutëse me 2 lugë gjalpë, 2 lugë vaj të embrionit të grurit. Në një tenxhere të vogël shkrini në gjalpin dhe shtoni në fillim vajin. Përziejini mirë dhe hidheni përbërjen në një kavanoz. Lëreni të ftohet dhe pastaj aplikoni një sasi të bollshme mbi buzë dhe masazhojini mirë me një furçe dhëmbësh për fëmijë. Ndërsa, nëse keni ndonjë plagë të vogël, para se të flini lyejini mirë buzët me mjaltë të lëngshëm të përzier me 2 pika esencë livande (ka veti përtharëse). Mbajeni gjithë natën dhe në mëngjes buzët do t’i keni më kompakte dhe të lëmuara. Para makijazhit, lyejini buzët me një shtresë gjalpë kakaoje, duke masazhuar mirë edhe konturet e buzëve. Pastaj kaloni tek makijazhi: ngjyra e buzëkuqit duhet të jetë në një ton të fortë, si kakao, i kuq ose në ngjyrën e erëzave. Me një laps të së njëjtës ngjyrë, vijëzoni konturet e buzëve, por vetëm në pjesën qendrore, d.m.th pa i përcaktuar cepat e gojës. Pastaj aplikoni buzëkuqin me anë të një peneli: ndiqni shenjat që keni bërë me laps, prisni pak sekonda dhe kalojeni buzëkuqin vetëm në qendër. Vëmë bast që, me një makijazh kaq të përkujdesur, nuk do të keni më dëshirë për t’i kafshuar buzët.

Nëse fërkoni sytë
Kur jeni të stresuara, valvula juaj e shfryrjes janë sytë: i shtrëngoni dhe i fërkoni me nervozizëm. Për këtë arsye i keni gjithmonë të skuqur dhe praktikisht nuk i trukoni më. Por kujdes: lëkura rreth syve është shumë e ndjeshme dhe është e prirur ndaj fryrjeve, rrudhave të vogla dhe humbjes së elasticitetit. Për t’i mbrojtur, zgjidhni me kujdes një krem specifik. Nëse nuk keni akoma probleme rrudhash, përdorni një krem të lëngshëm ose xhel të pasur me substanca qetësuese, si kumak, kamomil ose mëllagë. Ndërsa, nëse i keni tashmë këto rrudha, duhet të synoni tek produktet kremoze. Ose tek një kombinim produktesh me këtë rregull: një hidratues i mirë (rreptësishtë me filtër Uv) dhe sipër një serum antirudhë. Rrethinat e syve i keni të skuqura? Provoni këtë kompresë: zieni gjysmë litri ujë, pastaj shtoni një dorë lule kamomili dhe një dorë lule livande dhe lërini në infuzion për gjysmë ore me tenxheren e mbyllur që të mos dalë nxehtësia. Filtrojeni dhe shtoni 7 pika vaj esencial zambaku. Vendoseni përgatitjen në frigorifer dhe kur t’ju duhet, hidheni mbi disqe pambuku, ngjitini mirë pas syve dhe shtrihuni. Pas pesë minutash do të jeni mirë.

Nëse ngacmon flokët
E largoni stresin, duke i bërë nyje flokët. Ose i torturoni majat e flokëve derisa i dyfishoni, duke u gjendur me flokë të shprishur, opakë dhe të dobët. Atëherë pse nuk provoni ta dribloni problemin me një kurë, që i bën flokët tuaj të butë, të lëmuar dhe të fortë? Ja një kompresë që funksionon dhe që duhet bërë dy herë në javë për një muaj. Hidhni pesë lugë vaj kërpi në një tas, shtoni 3 lugë maja birre dhe 2 lugë lecitinë soje. Aplikojeni për 15 minuta dhe shpëlajeni. Së fundi, tamponojeni mirë kokën me një peshqir dhe në zonat më të ashpra masazhoni butësisht një lëng mbrojtës me fara liri. /Telegrafi/