Telegrafi

Gjest i shëmtuar nga tifozët e Atletico Madridit, Nico Williams ndalon lojën në gjysmë për shkak të koreve raciste

Atletico Madridi dhe Athletic Bilbao po luajnë përballë njëra-tjetrës në kuadër të javës së 33-të në elitën e futbollit spanjoll.

Rezultati momental i takimit është 2-1, pasi për vendasit shënoi Rodrigo De Paul në minutën e 15-të, ndërsa për baskët rrugën e golit e gjeti Nico Williams në minutën e 45-të të ndeshjes, para se Angel Correa të shënonte në minutën e 52-të për ta rikthyer avantazhin për Atletico Madridin.

Sidoqoftë, tifozët e Atletico Madridit sërish kanë marrë vëmendjen për shkak të abuzimeve racore ndaj yllit spanjoll Nico Williams.

Williams në fakt e ndaloi ndeshjen në gjysmë për t’i kërkuar gjyqtarit llogari në lidhje me koret raciste që tifozët po i këndonin në stadium.

Kjo madje shkaktoi edhe reagimin nga ana e lojtarëve të Atletico Madridit, më saktësisht nga Antoine Griezmann dhe Jose Gimenez, të cilët i kërkuan publikut që të qetësoheshin.

Kjo nuk është hera e parë që tifozët e Atletico Madridit marrin vëmendjen për një gjest të tillë, pasi skena të ngjashme kanë ndodhur edhe gjatë derbit të Madridit, ku atje viktimë kishte qenë Vinicius Junior./Telegrafi/