Prodhimi industrial në Gjermani ra papritmas gjatë muajit dhjetor. Eksportet dhe importet ranë gjithashtu, duke treguar se ekonomia më e madhe në Europë e ka mbyllur vitin në ngadalësim.
Të dhënat e Ministrisë së Ekonomisë tregojnë se outputi industrial ra me 1.2 për qind gjatë muajit, që është rënia më e madhe në 16 muaj, apo që prej gushtit të 2014-ës. Të dhëna të tjera nga zyra federale e statistikave treguan se eksportet e përshtatura në mënyrë sezonale ranë me 1.6 për qind gjatë dhjetorit dhe importet ranë gjithashtu me të njëjtin ritëm, duke e ngushtuar suficitin tregtar në 18.8 miliardë euro, transmeton Telegrafi. Parashikimet ishin se eksportet do të rriteshin me 0.5 për qind dhe importet të pësonin rënie më të ulët se publikimi.
Megjithatë, për 2015-ën në total, Gjermania regjistroi një rekord të ri të suficitit tregtar në 247.8 miliardë euro, sipër 213.6 miliardë që ishte në 2014-ën. Por, për muajin dhjetor të dhënat e zymta rrisin dyshimet mbi perspektivën e rritjes së Gjermanisë, me një ekonomi të orientur nga eksportet, që po goditet nga ngadalësimi i tregjeve në zhvillim. Jens Weidmann, kreu i Bundesbank, thotë se fluksi i refugjatëve do të jetë pozitiv për ekonominë.
Zyra e Statistikave do të publikoi në fund të javës të dhënat për Produktin e Brendshëm Bruto për tremujorin. Pritshmëritë për ekonominë gjermane qëndrojnë në 0.3 për qind rritje përgjatë tremujorit, i njëjti ritëm me tremujorin e tretë. Sipas të dhënave paraprake, për të gjithë 2015-ën, konsumi i fortë privat dhe shpenzimet më të larta të qeverisë nxitën një zgjerim ekonomik prej 1.7 për qind.
Kërkesa e brendshme është parë si shpëtim për Gjermaninë, ndërkohë që ngadalësimi i tregjeve në zhvillim e ka zbehur atë të jashtme. /Telegrafi/