Site icon Telegrafi

Gjermania “vulos” vendin e parë

Gjermania e ka dyfishuar normën e rritjes së ekonomisë në tremujorin e parë të 2016-ës, pasi shpenzimet e larta të Shtetit dhe ekonomive familjare, kanë kompensuar për rreziqet që vijnë nga partnerët tregtar.

Zyra Kombëtare e Statistikave raportoi se ekonomia u rrit me 0.7 për qind, që është norma më e lartë me bazë tremujore që prej periudhës Janar-Mars të 2014-ës. Kjo theu normën prej 0.6 për qind të regjistruar përreth Eurozonës, duke e vulosur kështu pozitën e Gjermanisë si motori ekonomik i bllokut. Zyra e Statistikave tregoi se moti i butë në Gjermani, ka sjellë një rritje në investimet në ndërtim dhe mallrat kapitale.

Konsumi privat ka marrë vendin e tregtisë si faktori kryesor i rritjes për ekonominë gjermane, ndërkohë që norma rekord e ulët e papunësisë, normat e ulëta të interesit dhe pagat më të larta, kanë bërë që konsumatorët të rimendojnë për shpenzime. Ekonomistët e lidhin rritjen në ndërtim si dhe lulëzimin e sektorit të pronave të patundshme me politikën lehtësuese të Bankës Qendrore Europiane. Rritja për tremujorin e la pas rritjen prej 0.3 për qind në fundin e 2015-ës.

Ministria e Ekonomisë kish thënë më parë se priste për një ngadalësim, për shkak të eksporteve më të dobëta. Publikimi i të dhënave mbi tregtinë i hodhi poshtë pjesërisht këto shqetësime, pasi kërkesa nga vendet jashtë Eurozonës kish marrë një nxitje. Ministri i Ekonomisë, Sigmar Gabriel tha se qeveria duhet të rrisë investimet në edukim, infrastrukturë dhe inovacion, duke ju bashkuar thirrjeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

“Ndërkohë që industria po tregon rritje, punësimi po rritet dhe të ardhurat në rritje te familjet po sjellin shpenzime më të larta, detyra jonë është që të përfitojmë nga vrulli dhe të investojmë në edukim, infrastrukturë moderne dhe inovacion”, tha Gabriel. /Telegrafi/

Exit mobile version