Gjermania vuan mungesën e dhurimit të organeve. Për shkak të kësaj mungese, gjermanët kërkojnë zgjidhje tek shkëmbimi i organeve me vende të tjera, si për shembull me Kroacinë.
Ka qenë një ditë vjeshte, të cilën Jasmin Redzepagic nuk do ta harrojë kurrë. Dita kur humbi babanë: “Hemoragji cerebrale. Gjithçka ndodhi shpejt, ai ishte vetëm 65 vjeç. Ka qenë një shok për familjen tonë, na goditi kaq papritur, si rrufe në qiell të hapur”.
Në kohën që familja e Jasminit mbante zi, erdhi një telefonatë nga spitali i Zagrebit, ku po trajtohej babai i tij.
Mjekët pyetën, nëse mund t’i merrnin organet e shëndetshme të babait. Babai i tij ndodhej në listën e personave të mundshëm për dhurim organesh. Familja kërkoi të mendohej pak, por në fund vendosi për po.
“Prindërit tanë kanë qenë të mendimit, se është më mirë të shpëtosh jetën e njerëzve të tjerë, se sa të lihen të humbin organet. Të gjithë në familjen tonë janë në listën për dhurimin e organeve, kemi folur shpesh për këtë”.
Gatishmëri për dhurim në Kroaci
Familja e Jasminit nuk është rast i veçuar. Në një kohë që në Gjermani numri potencial i organdhuruesve ulet ndjeshëm, në mesin e qytetarëve kroatë kjo gatishmëri rritet.
Nga kjo përfitojnë edhe pacientët gjermanë, sipas Nicola Zgrablic, president i Rrjetit Kroat të të Organdhuruesve”, (HDM). “Në vitin 2016 kishim 132 organdhurues në Kroaci, të cilëve u janë marrë vërtet organe. Kemi kështu 30 dhurime organesh për 1 milionë vetë, me këtë Kroacia është vendi më i suksesshëm mes tetë vendeve brenda fondacionit Eurotransplant, përgjegjës për shpërndarjen e organeve në 8 vende europiane”.
Në Kroaci praktikohet një rrugë tjetër. Çdo qytetar që nuk e ka kundërshtuar shprehimisht në kohën kur jeton dhurimin e organeve kthehet teorikisht në organdhurues pas vdekjes. Në Gjermani praktikohet vendimi eksplicit për dhurimin. Çdo qytetar nga mosha 16 vjeç kërkohet të japë një deklaratë për dhurimin e organeve.
Modeli spanjoll
Me 9,3 dhurues për 1 milionë banorë, Gjermania bën pjesë në vendet që kanë numrin më të pakët të organdhuruesve mes vendeve europiane.
Spanja kryeson listën dhe njoftoi në vitin 2017 se në këtë vend ka 46,9 dhurues për 1 milionë banorë.
“Kroacia ka marrë modelin spanjoll. E rëndësishme është që të ngarkuarit për transplantimin, pra personat kyç në sistemin e dhurimit të organeve janë të gjithë mjekë në spitale”, thotë Dr. Zgrablic për Deutsche Wellen.
Pra mjekët punojnë aty ku merret vendimi dhe mund t’i dallojnë dhuruesit potencialë, të trajnojnë personelin dhe të bisedojnë me të afërmit.
“Dhurimi i organeve është akt human dhe dinjitoz. Por nuk duhet harruar se pas tij ka një tragjedi, humbja e një anëtari të familjes. Nuk është një akt burokratik, por një çështje morali, ka nevojë për mbështetje dhe ndjeshmëri të personelit mjekësor. Kjo na ndihmoi ne në orët e vështira”, thotë Jasmin Redzepagic.
Marrja e organeve të babait të tij u krye brenda një nate. Jasmin thotë, se pas humbjes së tij të papritur na mbeti një ndjesi se kishim bërë diçka të mirë”.
Gjermania përfiton nga vendet e tjera
Gjermania përfiton nga gatishmëria për të dhuruar e vendeve të tjera. Organe si zemra, mëlçia dhe veshkat kanë ardhur për shoqatës Eurotransplant edhe në klinikat gjermane.
Rreth 200 organe nga Belgjika, Kroacia, Hungaria, Austria dhe Sllovenia kanë ardhur në këtë formë në Gjermani.
Por në të gjithë Gjermaninë ende pret një listë e gjatë pacientësh të sëmurë rëndë për transplantim organesh, sipas Fondacionit Gjerman të Tranplantimit të Organeve. Përditë tre vetë humbasin jetën, sepse nuk sigurohen dot organet për transplantim./dw/