Në Gjermani me 1 janar hyri në fuqi ligji i ri që u kërkon rrjeteve sociale të heqin gjuhën e urrejtjes dhe publikimet e rrejshme (Fake News) të lajmeve brenda 24 orëve nga raportimi i lexuesve, shkruan Telegrafi.
“Ofruesit e rrjeteve sociale janë përgjegjës kur platformat e tyre keqpërdoren për të përhapur urrejtje dhe lajme të rreme”, ka thënë ministri i Drejtësisë, Heiko Maas, në pranverën e vitit të kaluar, kur ligji u miratua së pari nga qeveria gjermane.
Përmbajtje të tjera të paligjshme duhet të fshihen brenda një jave pas raportimit të tyre. Në rast të mos zbatimit të ligjit kompanitë dënohen me gjoba deri në 50 milionë euro.
Sipas mediave gjermane, ligji i ri, i njohur si Netzwerkdurchsetzungsgesetz (NetzDG), prek “Facebook”, “Twitter”, “Google”, “YouTube”, “Snapchat” dhe “Instagram”, por nuk vlen për rrjetet profesionale siç janë “Linkedin” dhe “Xing”.
Mediat sociale e kanë marrë seriozisht kërcënimin. Facebook thuhet se ka angazhuar qindra njerëz në Gjermani për të trajtuar NetzDG-në dhe monitorimin e lidhur me publikimet problematike. /Telegrafi/