Gjermanët do të shkojnë në kutitë e votimit më 23 shkurt, sipas raporteve të mediave vendase, pasi konflikti i brendshëm e la koalicionin qeverisës të vendit të “shpërbëhet” javën e kaluar.
Kancelari Olaf Scholz dhe kreu i partisë më të madhe opozitare në vend, Unioni Kristian Demokrat (CDU), Friederich Merz arritën në një marrëveshje që një votë mosbesimi të mbahet më 16 dhjetor, ndërsa zgjedhjet do të pasojnë në shkurt të vitit të ardhshëm, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Scholz më parë sugjeroi që një votë mosbesimi të mbahej më 15 janar, me zgjedhjet që do të pasonin rreth marsit.
Kjo u hodh poshtë nga Merz, i cili argumentoi se qeveria e Scholz nuk ishte më në gjendje të pretendonte një shumicë parlamentare në mënyrë që të drejtonte vendin në mënyrë efektive.
Raportet e mediave lokale thonë se krerët e CDU-së konservatore dhe socialdemokratët e Scholz (SPD) arritën marrëveshjen të martën, me një seancë të posaçme të planifikuar për në mbrëmje për të diskutuar veprimet e mëtejshme.
Zgjedhjet federale fillimisht ishin planifikuar të mbaheshin në fund të vitit të ardhshëm. /Telegrafi/