Gjermania ka vendosur në parim të blejë aeroplanë luftarakë amerikanë F-35 të ndërtuar nga Lockheed Martin për të zëvendësuar flotën e saj të vjetër Tornado, sipas raporteve të së hënës.
Vendimi, nëse konfirmohet, vjen pasi kancelari gjerman Olaf Scholz muajin e kaluar njoftoi një rritje masive në shpenzimet e mbrojtjes pasi konflikti në Ukrainë detyron Berlinin të rivlerësojë politikat e tij të jashtme dhe të mbrojtjes, përcjell Telegrafi.
Pse i duhen aeroplanët, Gjermanisë?
Berlini thuhet se po kërkon të përdorë aeroplanët e Lockheed Martin për të zëvendësuar flotën Tornado të vendit, të prezantuar më shumë se 40 vjet më parë.
Në dritën e agresionit rus të Ukrainës, Scholz tha se do t’i sillte investimet e vendit mbi një angazhim kyç të NATO-s prej 2% të BPV-së.
F-35 konsiderohet aeroplani luftarak më modern në botë. Forma e tij unike e bëjnë atë, vështirë për t’u zbuluar nga radarët e armikut.
Aktualisht, Tornado është i vetmi aeroplan gjerman i aftë për të mbajtur bomba bërthamore amerikane, të ruajtura në Gjermani, në rast konflikti.
Sidoqoftë, forcat ajrore gjermane kanë operuar me ata aeroplanë që nga vitet 1980 dhe ata do të hiqen gradualisht midis 2025 dhe 2030.
Duke njoftuar një rritje të shpenzimeve ushtarake, kancelari Scholz tha se ushtria gjermane do të marrë 100 miliardë euro (113 miliardë dollarë) për investime dhe projekte armatimi.
Dhe sipas burimeve, shkruan më tej DW, Gjermania planifikon të blejë deri në 35 aeroplanë.
Më parë ishin shfaqur shqetësime se blerja e F-35 mund të prishte planet e përbashkëta me Francën për të ndërtuar një aeroplan të përbashkët luftarak evropian. /Telegrafi/