Site icon Telegrafi

Gjermania planifikon 16.5 milardë euro shpenzime për emigrantët për 2016

Shtetet federale të Gjermanisë kanë planifikuar që në total të shpenzojnë 16.5 miliardë euro në vitin 2016 për emigrantët.

Lajmi është bërë i ditur nga një studim vendas, i cili ka marrë nën shqyrtim planifikimet e bëra nga Ministritë e Financave të shteteve respektive. Fondet do të shpenzohen për strehim, ushqim,dhe një sërë shërbimesh ku përfshihen kujdesi shëndetsor, edukimi, etj. Në bazë të një përllogaritjeje, strehimi i një emigranti i kushton Gjermanisë afro 670 euro në ditë.

Një problem më serioz i menaxhimit të refugjatëve është bërë edukimi. Qeveria ka njoftuar se për të shkolluar 300.000 fëmijë që kanë kërkuar azil me prindërit e tyre, nevojiten afro 25.000 mësues.

Megjithatë, nuk janë vetëm fëmijët ata të cilët kanë nevojë për shkollim, pasi pjesa më e madhe e të rriturve nuk e zotëron gjuhën gjermane.

Sa i përket shpenzimeve, ekspertët thonë se përllogaritja është bërë në bazë të një projeksioni të bazuar në trendin aktual të ardhjeve të azil-kërkuesve. Shifra e shpenzimeve mund të ndryshojë në rast se parashikimi nuk do të jetë i saktë. Kjo do të thotë se në rast se në vend do të vijnë më shumë emigrantë shpenzimet do të rriten dhe anasjelltas. /Telegrafi/

Exit mobile version