Qeveria gjermane përkrah njohjen reciproke të patentë-shoferëve, ndërsa lidhur me këtë një delegacion gjerman do ta vizitojë Kosovën në janar për ta parë gjendjen në terren.
Kështu ka thënë një zyrtar në Ministrinë e Komunikacionit dhe Çështjeve Digjitale të Qeverisë së Gjermanisë, Guido Zielke në takimin që kishte me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Republikën Federale të Gjermanisë, Beqë Cufaj.
Në këtë takim është diskutuar për njohjen reciproke të patentë shoferëve mes dy vendeve pas aplikimit zyrtar që Kosova ka bërë vjeshtën e vitit 2018.
Zielke ka njoftuar ambasadorin Cufaj që Qeveria e Gjermanisë e përkrah njohjen reciproke të patentë shoferëve mes Kosovës dhe Gjermanisë, transmeton Telegrafi.
Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare në Facebook të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Gjermani thuhet se në këtë takim është potencuar se procesi në fjalë ka shënuar progres të dukshëm dhe po punohet që me hapa të shpejtë të përmbyllet procesi.
Po ashtu Zielke ka njoftuar ambasadorin Cufaj që një delegacion i kësaj Ministrie në muajin janar do të udhëtojë në Kosovë për të parë edhe gjendjen në terren si: situatën me qendrat testuese, prodhimin e patentë shoferëve dhe sidomos shqyrtimin e situatës në aspektin e sigurisë rrugore në Kosovë, pasi që procesi lidhet drejtpërdrejtë sidomos me aspektet e sigurisë dhe numrin e aksidenteve në rrugët e Kosovës.
Në njoftim theksohet se ambasadorit Cufaj i është thënë që qeveria gjermane është plotësisht e vetëdijshme për nevojën dhe domosdoshmërinë e përmbylljes së këtij procesi, prandaj edhe në janar një delegacion gjerman do ta vizitojë Kosovën. /Telegrafi/