Kombëtarja e Gjermanisë nuk ka arritur që të stërvitet në mëngjesin e së premtes, ashtu si kishte planifikuar, shkaku i mushkonjave që po iu bëjnë problem tash e ditë
“Mundo Deportivo” ka raportuar se në kampin në të cilin po qëndron Gjermania, në Herzogenaurach, është bërë dezinsektimi i mushkonjave dhe për shkak të erës së fortë dhe të pakëndshme, stërvitja u shty për më vonë.
Në stërvitje te Gjermania është kthyer edhe mbrojtësi i Real Madridit, Antonio Reudiger, që kishte problem muskulor.
Kampusi i Adidasit ku Gjermania po qëndron është një kompleks që kushton mbi 900 milionë euro.
Yjet e Gjermanisë përveç shumë kushteve të mira qëndrimi, kanë edhe vende relaksi si pishina, fushë tenisi e shumë gjëra tjera.
Sulmuesi Maximilian Beier, 21 vjeç, deklaroi se ishte thumbuar disa herë në ditët e fundit.
“Tashmë më kanë thumbuar dy ose tre herë. Por nëse mushkonjat janë problemi më i madh që kemi, kjo është në rregull”, deklaroi Beier.
Një kombinim i përmbytjeve në Gjermaninë jugore dhe nxehtësia josezonale ka shkaktuar rritjen e insekteve.
Gjermania do të takohet me Danimarkën të shtunën në fazën nokaut. Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Signal Iduna Park” në Dortmund nga ora 21:00. /Telegrafi/