Telegrafi

Gjermania në kah të kundërt nga Eurozona

Ndjeshmëria ekonomike në Gjermani për muajin Janar të këtij viti, është regjistruar mbi pritshmëritë e analistëve.

Kështu, ky indeks ka prekur nivelin e 48.4 pikë, duke rrëzuar projeksionet e mëparshme të cilat flisnin për 40 pikë. Në muajin Dhjetor të vitit të shkuar ky indeks ishte regjistruar në 34.9 pikë. Muaji Janar shënon rritjen e tretë me rradhë, si dhe nivelin më të lartë që prej muajit Shkurt të vitit të shkuar.

Këto të dhëna pozitive vijnë vetëm dy ditë përpara mbledhjes së shumëpritur të Bankës Qendrore Europiane e cila pritet të ndryshojë kursin e politikave monetare nëpërmjet aplikimit të programit të lehtësimit sasior në shkallë të gjerë.

Sipas analistëve me shumë gjasa Banka Qendrore Europiane do të fillojë zbatimin e programit të blerjes së bonove qeveritare në mënyrë që të nxisë rritjen dhe të eleminojë situatën e deflacionit në Eurozonë.

Sipas institutit të kërkimeve ekonomike në Gjermani, rënia e çmimit të naftës dhe zhvlerësimi i Euros kanë pasur kontributin më të madh në rritjen e këtij indeksi, pasi nxisin në mënyrë domethënëse eksportuesit e mëdhenj në vend.

Ndërkohë që javët e para të këtij viti janë karakterizuar nga një treg europian në luhatje dhe në konfuzion për shkak të zgjedhjeve në Greqi dhe ecurisë së Frangës zviceriane, Gjermania duket se ka përqafuar një trend krejt të kundërt. /Telegarfi/