Ende para pak ditësh mua nuk më zinte gjumi, sepse kisha frikë që Gjermania nuk do t’ia dalë me krizën e refugjatëve. Nga njëra anë më shfaqeshin vetëm buqeta lulesh nëpër stacione treni dhe nga ana tjetër mungesa e veprimit politik. Kultura e mikpritjes është e rëndësishme, për këtë s’ka asnjë dyshim. Por qendrimi ndaj refugjatëve nuk është vetëm një temë emocionale, por edhe politikë e fortë.
Për fat të mirë edhe Angela Merkel e sheh çështjen kështu – dhe ajo tregon guxim për një politikë të tillë: ajo hap kufijtë për refugjatët e madje e detyroi të gjithë kontinentin të merret me mjerimin e njerëzve para portave të Evropës. Një kthim pas nuk ka më, më e shumta që mund të ketë, janë kompromiset dhe paratë në vend të kuotave. Ç’veprim i guximshëm!
Në debatin parlamentar ajo bëri të qartë, se do ta ruajë këtë guxim. Pra ajo do të shkojë përpara, të jetë me shpirt krijues deri në limit. Kjo forcë drejtuese është e nevosjhme tani. E po ashtu është i nevojshëm edhe një nivel operativ mirëfunksionues, në radhë të parë këto janë landet federale. Zonja me zemër dhe arsye nga Renania Veriore – Vestfalia, kryeministrja (socialdemokrate) e landit, Hannelore Kraft, dhe kryeministri indifernet (kristiansocial) i Bavarisë Horst-Sëhofer, po japin tani shembullin e tyre se si mund t’i dilet mbanë. Tani kërkohet fleksibilitet i politikës partiake.
Edhe kjo një arsye për optimizëm: tani Gjermania po çlirohet nga kthetrat e ndrydhjes në kulturën e diskutimit. Deri më tani shumë pak është diskutuar se çfarë vjen në të vërtetë pas ftesës "Mirësevini!", apo çfarë frikërash i preokupojnë qytetarët e zakonshëm bio-gjerman. Qytetarët duhet të involvohen në proces, kërkoi kryetarja e partisë kristiansociale në landin e Bavarisë Gerda Hasselfeldt në Bundestag. Partitë duhet ta kuptojnë realitetin e jetës dhe të mos heshtin.
Kriza e refugjatëve kërkon një kulturë të diferencuar diskutimi. Keni të drejtë zonja Hasselfeldt! Nuk duhet të ketë tabu. Ashtu siç thoni ju me të drejtë, ky është ilaçi më i mirë kundër mendësisë radikale të djathtë. E po aq e drejtë është ajo që tha kryetarja e grupit parlamentar të ekologjistëve Kathrin Gëring-Eckhardt: qysh tani duhet diskutuar për çështjen shoqërore-politike, se si do të komportohet Gjermania me përfytyrimet e shumë refugjatëve myslimanë, që "nuk janë përfytyrimet tona". Si mund të përçojmë atë çka përbën ligjin themelor? Eshtë i nevojshëm një diskutim për vlerat dhe ligjet tona, për të drejtuar të tjerët.
Edhe apeli i politikanes ekologjiste për një kulturë të hapur ndaj gabimeve është mjaft i çmuar. Gjermania gjatë viteve të shkuara e ka reformuar politikën e azilit. Një ndër problemet kryesore tani është se nuk ka mjaftueshëm nëpunës, që të shqyrtojnë kërkesat për azil. Ky dështim duhet diskutuar hapur – jo për t’iu kundërvënë kundërshtarit politik, por për të gjetur shpejt zgjidhje.
Lehtësues është edhe fakti, se pavarësisht numrit të madh të refugjatëve sistemi politik është jashtëzakonisht i qëndrueshëm. Në të tjera shtete të Evropës partitë populiste e ngushtojnë hapësirën e veprimit politik në periferi. Kjo nuk ndodh në Gjermani. Partia "Alternativa për Gjermaninë", varianti vendas i populizmit të djathtë, ndërkohë nuk ia ka dalë që t’i japë debatit tonin e saj.
Ka edhe diçka tjetër: mbështetja nga bota e jashtme. Në shumë komente të gazetave Gjermania lëvdohet për angazhimin dhe guximin e saj. Teksa disa gjermanë zhyten në "frikën tipike gjermane", të tjerë shohin një forcim moral dhe kanë besim tek pretendimi i Merkelit për një rol drejtues. Sado e vështirë që është situata akatualisht: ka shumë arsye të besosh, që Gjermania mund t’ia dalë! E ndoshta një ditë në retrospektivën historike do të thuhet, kriza e refufgjatëve e ka bërë Gjermaninë një vend më të mirë.