Telegrafi

Gjermania mposht Kamerunin, kualifikohet si e para në Grupin B (Video)

Gjermania e ka mposhtur Kamerunin me rezultat 3-1 në ndeshjen e vlefshme për Kupën e Konfederatave “Rusia 2017”.

Kombëtarja gjermane nuk ka lejuar befasi as në ndeshjen e tretë të Grupit B, ku pas fitores ndaj Austrlisë dhe barazimit ndaj Kilit, erdhi edhe një fitore tjetër ndaj Kamerunit, e cila e kualifikoi tutje si e parë në Grupin B.

Djelmoshat e Joachim Loew e filluan ndeshjen me dominim, duke krijuar shumë raste, por pa pasur fat dhe sukses të shënojnë ndonjë gol dhe pjesa e parë përfundoi me rezultat 0-0.

Në pjesën  e dytë, me të filluar loja ishte sulmuesi Kerem Demirbay, i cili kaloi gjermanët në epërsi me një supergol nga rreth 20 metra në minutën e 48, pasi u shërbye për mrekulli nga Julian Draxler.

Festa e Demirbay

Panzerët e gjetën shpejt edhe golin e dytë me anë të sulmuesit Timo Werner, që u gjend më së miri në zonë në minutën e 66 dhe dyfishoi epërsinë pas asistimit të Joshua Kimmich.

Werner shënoi dy gola në këtë ndeshje

Deri në fund të ndeshjes u shënuan edhe dy gola, ku fillimisht Kameruni ngushtoi epërsinë në 2-1 me Vincent Aboubakar (79′), ndërsa Gjermania arriti të shënoj golin e 3-1 në minutën e 81  me anë të Werner dhe vulosi fitoren dhe rezultatin përfundimtar 3-1.

Në gjysmëfinale, Gjermania do të ndeshet me Meksikën, ndërsa Kili me Portugalinë është çifti tjetër./Telegrafi/