Qeveria gjermane miratoi një paketë masash për të kursyer energjinë, duke përfshirë kufizimin e ngrohjes së vendit të punës në një maksimum prej 19 gradë Celsius.
Masat, të cilat duhet të hyjnë në fuqi deri në fund të shkurtit të vitit të ardhshëm, parashikojnë që shkallët dhe korridoret të mos ngrohen më, ndërsa në vendet e punës që kërkojnë punë të rëndë fizike dhomat do të ngrohen deri në 12 gradë.
Nga ky rregull përjashtohen institucionet mjekësore, kopshtet dhe shkollat, raporton theguardian.
Dyqanet dhe lokalet afariste ndalohen të hapin derën e hyrjes për një kohë të gjatë për të parandaluar humbjen e nxehtësisë, kurse shtëpive u ndalohet ngrohja e pishinës me gaz ose energji elektrike.
Masat e qeverisë për kursimin e energjisë vlejnë edhe për ndriçimin e ambienteve të biznesit. Reklamat me ndriçim si dhe ndriçimi në vitrinat e dyqaneve nuk mund të ndizen nga ora 22:00 deri në orën 6 të mëngjesit, me përjashtim të vitrinave të dyqaneve në nënkalimet për këmbësorë.
Ndërtesat publike nuk do të lejohen më të përdorin ndriçimin e jashtëm, përfshirë këtu edhe ndriçimin e monumenteve të kulturës, ka vendosur qeveria.
Ministri i Ekonomisë, Robert Habeck tha se këto masa mund të kursejnë deri në dy për qind e gjysmë të konsumit total të energjisë në Gjermani. Objektivi i qeverisë është 20 për qind, “Ne po përballemi me një detyrë të përmasave kombëtare. Çdo kontribut ka rëndësi”. /Telegrafi/