Site icon Telegrafi

Gjermania kundër BQE-së

Gjermania vazhdon të jetë sfidanti numër një i politikave europiane. Pasi kundërshtoi gjerësisht programin e lehtësimit sasior rreth një vit më parë, tashmë gjermanët janë kundër edhe stimujve të rinj, sidomos uljes së normave të interesit në territor negativ.

Paneli i këshilltarëve ekonomik të qeverisë gjermane ka paralajmëruar Bankën Qendrore Europiane (BQE) se një lehtësim i mëtejshme nëpërmjet uljes së normave të interesit përbën rreziqe të konsiderueshme për stabilitetin financiar duke kërcënuar aftësinë paguese të bankave dhe institucioneve të sigurimit.

“Nëse normat e ulëta të interesit do të vazhdojnë edhe gjatë viteve të ardhshme, atëherë stabiliteti financiar do të vihej nën kërcënim në terma afat-mesëm”-vlerëson paneli i këshilltarëve. Banka qendrore europiane ka theksuar vazhdimisht se në muajin Dhjetor do të ketë ndryshime të politikave monetare drejt kahut lehtësues.

Paneli i ekspertëve gjerman i pagëzuar ndryshe edhe si të mençurit, ndër të tjera projekton një rritje ekonomike pranë 1.7 për qind gjatë këtij viti për të zbritur në 1.6 për qind gjatë vitit të ardhshëm.

Sa i përket krizës së emigrantëve, këshilli vlerëson se kostot janë të përballueshme për Gjermaninë. /Telegrafi/

Exit mobile version