Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde ka zgjedhur të urojë 17 vjetorin e pavarësisë përmes një video tejet të veçantë.
Ai ka ndarë disa momente të tij ku shihet para monumentit “Newborn”, pastaj te Biblioteka Kombëtare, monumenti “Heroinat”, si dhe duke ngrënë akullore e pirë kafe në sheshet e qytetit dhe duke vizituar shtatoren e Skënderbeut e Ibrahim Rugovës.
“Të dashur miq në Kosovë, sot festojmë një moment historik – Ditën tuaj të Pavarësisë. Në emër të Gjermanisë dhe të gjithë ambasadës gjermane, ju shpreh urimet e mia të përzemërta”, ka thënë Rohde.
Ai ka shtuar se Kosova ka bërë hapa të jashtëzakonshëm në këto 17 vite si në demokraci, ashtu edhe në ekonomi e marrëdhënie ndërkombëtare.
“Që nga shpallja juaj e pavarësisë 17 vite më parë, Kosova ka bërë hapa të jashtëzakonshëm në demokraci, ekonomi dhe marrëdhënie ndërkombëtare. Udhëtimi juaj drejt sovranitetit është shënuar nga qëndrueshmëria dhe vendosmëria”, ka deklaruar ambasadori gjerman.
Rohde ka theksuar se Gjermania është krenare që ka qëndruar pranë Kosovës.
“Gjermania ka qenë krenare që ka qëndruar pranë jush, duke mbështetur udhëtimin tuaj. Marrëdhënia jonë dypalëshe është një dëshmi e lidhjes së fortë midis kombeve tona”, ka thënë ai.
Rohde ka thënë se “pavarësia e Kosovës nuk është vetëm simbol por realitet”. /Telegrafi/