Gatishmëria e Qeverisë gjermane për mbështetje është një shpresë e re për Kosovën dhe se me këtë mbështetje, perspektiva do të shndërrohet në realitet. Kështu ka thënë Kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu gjatë takimit që Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Berlin, Skender Xhakaliu.
Ambasadori Xhakaliu edhe një herë theksoi gatishmërinë e Qeverisë gjermane për të mbështetur proceset zhvillimore në Kosovë dhe se Samiti i Berlinit me deklaratën e përbashkët është një dëshmi e përkushtimit të mbështetjes së këtyre proceseve mjaftë mirë dhe profesionalisht të identifikuara.
“Në këtë deklaratë janë të cekura të gjitha ato sfida me të cilat ballafaqohet regjioni pa zgjedhjen e të cilave do të jetë i vështirësuar procesi i integrimit në familjen evropiane. E veçanta e këtij Samiti është edhe me faktin se përveç deklaratës caktohet edhe një plan dinamiko kohorë për përmbushjen e tyre në periudhën kohore katër vjeçare, si dhe monitorimi dhe raportimi në baza një vjeçare. Sundimi i rendit dhe ligjit, rritja e konkurrentshmërisë, fuqizimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme si dhe edukimi si prioritet i prioriteteve janë ato çka i duhen përmirësime pozitive Kosovës”, ka thënë ai.
Gërxhaliu apeloi tek Ambasadori, Xhakaliu që të lobojë për nënshkrimin e marrëveshjes bilaterale për punësim në mes të Gjermanisë dhe Kosovës e cila marrëveshje e cila do të kishte efekte enorme pozitive për ardhmërinë e Kosovës, sidomos nga aspekti social, ekonomik e mbi të gjitha në hapjen e perspektives së re dhe motivuese për të rinjtë kosovar./Telegrafi/