Site icon Telegrafi

Gjermania kërkon mision paqeruajtës në Ukrainë para zgjedhjeve në Rusi

Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, ka bërë thirrje për themelimin e një misioni të armatosur paqeruajtës në kuadër të Kombeve të Bashkuara në lindje të Ukrainës, para zgjedhjeve presidenciale të marsit në Rusi.

Sigmar Gabriel u ka thënë gazetarëve pas bisedimeve në Kiev me homologun e tij ukrainas, Pavlo Klimkin, se një forcë e tillë do të ishte “e domosdoshme” për sigurimin e integritetit territorial në Ukrainë.

“Ky duhet të jetë mision i armatosur që është prezent rreth territorit të zonës së konfliktit”, ka thënë Gabriel, duke shtuar se Gjermania dhe Franca do të propozojnë një mision të tillë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara me shpresë se do të sjellë “armëpushim të qëndrueshëm” në lindje të Ukrainës.

Sipas Gabriel, zgjedhjet presidenciale në Rusi nuk duhet të jenë faktor për negociata me OKB-në për dërgimin e misionit në Ukrainë, transmeton Evropa e Lirë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, i cili pritet të fitojë lehtë në zgjedhjet e 18 marsit, ka përkrahur themelimin e një misioni paqeruajtës të OKB-së, vetëm rreth zonës në lindje të Ukrainës, e cila e ndan territorin e kontrolluar nga separatistët e përkrahur nga Kremlini me pjesën tjetër të Ukrainës.

Mirëpo Ukraina dhe aleatët perëndimorë kanë kundërshtuar propozimin e Rusisë për këtë mision duke kërkuar më shumë rol të OKB-së, në përpjekje të zgjidhjes së konfliktit i cili ka lënë të vdekur më shumë se 10,300 persona nga viti 2014.

Vizita e Gabriel në Ukrainë vjen vetëm disa ditë pasi Uashingtoni ka njoftuar se do t’i ofrojë Ukrainës armë për mbrojtje duke ngritur tensione tek Moska.

Klimkin ka thënë se amët do të përdoren vetëm për qëllime të mbrojtjes.

“Këto armë do të përdoren vetëm në rast të provokimit nga Rusia”, ka thënë Klimkin.

Sidoqoftë Gabriel ka vënë në dyshim vendimin e Shteteve të Bashkuara për të shitur armë në Ukrainë.

“Nëse diçka ka me shumicë në këtë rajon, ato janë armët”, ka thënë ai.

Exit mobile version