Site icon Telegrafi

Gjermania kërkon mbetjen e EULEX-it në Kosovë si mbështetje për Gjykatën Speciale

Misioni i EULEX-it është bërë objekt diskutimesh publike në relacionet Kosovë -Gjermani, dy ditë pasi Haga bëri publik lajmin për aktakuzë ndaj Presidentit të Kosovës Hashim Thaçit.

Dje në media është publikuar lajmi se Presidenti i Kosovës pavarësisht se është përballur me presion të madh për të vazhduar mandatin e EULEX-it, nuk ka pranuar të bëjë diçka të tillë. Sot, gjermanët kanë kërkuar që EULEX të mbetet në Kosovë për të mbështetur Gjykatën Speciale dhe sundimin e Ligjit.

Për një zhvillim të tillë ka reaguar Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Susanne Schutz.

Ajo thotë se misioni i EULEX-it ka mbështetjen e Gjermanisë për përkrahjen që ia bën punës së Gjykatës Speciale dhe thotë se një gjë e tillë duhet të ruhet.

“Që nga viti 2008, EULEX-i ka qenë një shtyllë për sigurinë dhe një ambient të sigurt në Kosovë. Roli vital i EULEX-it për ndihmesën e institucioneve të drejtësisë në Kosovë dhe për Dhomat e Specializuara ka mbështetjen e plotë të Gjermanisë dhe kjo duhet të ruhet”, ka shkruar Schutz, njofton Insajderi.

Një debat i tillë rreth EULEX-it vjen në kohën kur ndaj kreut të shtetit të Kosovës, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për krime të ndryshme gjatë luftës. Thaçi bashkë me Veselin dhe të tjerët sipas Prokurorisë pretendohet se janë përgjegjës për rreth 100 vrasje.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, megjithatë nuk ka pranuar që të vazhdojë mandatin e misionit të EULEX-it në vend.

Një gjë të tillë e kanë konfirmuar nga zyra e tij në Prishtinë, duke shpjeguar se kreu i shtetit e kishte bërë të qartë se viti 2018 do të jetë edhe hera e fundit kur këtij misioni i vazhdohet mandati në Kosovë.

Përveç kësaj, nga Zyra e Presidentit, thonë se ka pasur presion të madh për vazhdimin e mandatit ekzistues të EULEX-it.

“Presidenti Thaçi në takimet me përfaqësuesit e BE-së dhe të EULEX-it është shprehur mirënjohës për ndihmën e vazhdueshme në fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë dhe e vlerëson si të suksesshëm misionin e EULEX-it. Por, tani është koha që të gjitha kompetencat e EULEX-it të kalojnë te institucionet vendore. Kosova më nuk ka nevojë për EULEX-in, por do të pranojë çdo përkrahje në forcimin e rendit dhe ligjit nga ana e BE-së, sikur që është rasti në vendet e rajonit. EULEX-i tanimë nuk ka mandat për të qëndruar në Kosovë”, thuhet në fund të përgjigjes së Zyrës së Presidentit.

Exit mobile version