Papunësia në Gjermani ka rënë më shumë seç pritej më parë gjatë muajit të fundit të vitit që lamë pas.
Norma e papunësisë në ekonominë më të madhe të kontinentit, vijon të mbetet ende pranë rekordit minimal, tregojnë të dhënat e fundit të zyrës së statistikave. Gjatë muajit, të papunët ishin 17 mijë më pak, duke prekur shifrën e 2.6 milionëve.
Shifra rezulton tre herë më e lartë se pritshmëritë e tregjeve dhe analistëve. Norma e papunësisë ndërkohë, konfirmohet pranë 6%, që është edhe niveli më i ulët që prej vitit 1990, vit i bashkimit të dy gjermanive, dhe i krijimit të atij shteti që është edhe sot, shkruajnë mediat gjermane raporton Telegrafi.
Gjatë të gjithë vitit që sapo u mbyll, një numër rekord, prej 43.4 milionë njerëzish u punësua në Gjermani.
Tregu i fortë i punës në vend, normat e ulëta të interesit, si dhe rritja reale e pagave po nxisin nga ana tjetër shpenzime konsumatore rekord, duke udhëhequr ekonominë më të madhe të Evropës drejt një tjetër viti rekord. /Telegrafi/