Ministri i Financave, Bedri Hamza ka nënshkruar dy marrëveshje me vlerë mbi 7 milionë euro me Bankën Gjermane për Zhvillim (KFW), të cilat dedikohen për rritjen e kapitalit të Fondit Kosovar për Garantimin e Kredive.
Ai ka tha se këto janë grante që do të mundësojnë zhvillimin e sektorit privat dhe kryesisht ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
“Në vlerë prej 7.45 milionë euro të ndarë në dy marrëveshje, 5. 45 milionë euro dhe 2 milionë euro në mbështetje të Fondit të Garantimit të Kredive. Se këto para janë grante, me të cilat shteti i Gjermanisë , vazhdon të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Arritja e këtyre marrëveshjes është edhe një sinjal i angazhimit tonë të përbashkët për mbështetjen shumë të rëndësishme të ekonomisë. Sidomos ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që është edhe një inkurajim për gjeneratën e re për gjininë femërore sa i përket çështjes së punësimit. Është lajm shumë i mirë shumë inkurajues se të gjitha bankat komerciale në Kosovë , janë të regjistruara dhe bashkëpunojnë me fondin për garantimin e kredive“, tha Hamza.
Përmes Fondit të Garantimit të Kredive, sipas Hamzës, deri tash janë dispozicuar më shumë se 23 milionë euro.
Ndërsa, Rene Escherman, drejtor i zyrës së KFW-së për Kosovë dhe Maqedoni, tha se ky fond ka për qëllim që të ketë sukses dhe të rrisë kapitalin në të ardhmen.
“Që nga fillimi i themelimit të saj është i destinuar të ketë një sukses të madh. Por çfarë është e veçantë për fondin dhe çka e bënë atë për nismat e mëtutjeshme , është se është gjithçka në një institucion të përhershëm dhe të pavarur. Gjithashtu kjo demonstron një shembull shumë të mirë të bashkërenditjes të donatorëve. Për shkak se përveç USAID-it dhe Qeverisë gjermane edhe Qeveria e Suedisë do t’i bashkëngjitet këtij fondi. Në njërën anë e ngrit tutje kapitalin themelor të fondit , po në anën tjetër hap edhe një dritare të re të mundësive në veçanti në sektorin e bujqësisë. Pasi që kredia dhënia është vetëm 4 për qind në këtë sektor. Me këtë ne dëshirojmë që të promovojmë edhe më shumë sektorin privat”, tha ai.
Escherman tha se ministri i Financave ishte mbështetës kryesor i këtij fondi. /Telegrafi/